Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, me temën “Ekonomia takon politikën në botën dixhitale”.
Në këtë forum ku u diskutua kryesisht për nevojën për mobilizim të ri në botën dixhitale, sfidat dhe mundësitë për ekonominë e rajonit, Hoti tha se përkundër pandemisë COVID-19, Kosova ka vazhduar angazhimet konkrete për të realizuar agjendën evropiane, me theks të veçantë në tregun e përbashkët rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast Hoti, theksoi se beson fuqishëm, se pas zotimeve në Samitin e Sofjes, javën e kaluar, integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit.
Duke nënvizuar se qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale është kyçe për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin në BE, të gjithë rajonit.
Kosova, tha kryeministri Hoti, është e vendosur për të promovuar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike dhe pret qasje konstruktive nga të gjitha palët, sidomos nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Bashkëpunimi multilateral siç është Tregu i Përbashkët Rajonal, promovon dhe përmirëson sigurinë në rajon, qëndrueshmërinë politike dhe bashkëpunimin ekonomik”, shtoi ai.
Kryeministri Hoti, në Forumin Ekonomik të Vjenës, theksoi se Kosova pret që integrimi rajonal i Ballkanit Perëndimor të përmirësoj perspektiven drejt zgjerimit të BE-së dhe jo të zëvendësoj atë.
Ai nënvizoi se, bashkëpunimi multilateral ekonomik kërkon zotime të përbashkëta për tregun e përbashkët, ide kreative dhe projekte të përbashkëta ekonomike.
Kryeministrit Hoti foli edhe për projektet konkrete të bashkëpunimit multilateral me të cilat promovohen katër liritë: shërbimet, kapitali, idetë si dhe liria e dijës dhe e hulumtimit.
Hoti duke komentuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar që të rris kapacitetet absorbuese, të thelloj bashkëpunimin me këto vende, partnerët ndërkombëtarë dhe Komisionin Evropian, me qëllim që të përfitoj nga projektet për investime. /Telegrafi/