Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, me të cilët ka biseduar për Pakon e mbështetjes Financiare, si pjesë e Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike për vitin 2021.
Derisa u zotua se do t’i shqyrtoj kërkesat e këtyre dy sektorëve, Hoti tha se gastronomia, hoteleria dhe transporti i udhëtarëve janë ndër sektorët më të prekur nga vendimet e Qeverisë për masat për parandalimin e pandemisë COVID-19.
Hoti tha se, për subvencionimin e gastronomisë, sallave të dasmave, sallave të sportit, qendrave rehabilituese dhe të ngjashme, qeveria ka ndarë 3 milionë euro, në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike për vitin 2021, në shumën e përgjithshme prej 222 milionë euro. /Telegrafi/