Kandidati për deputetë nga koalicioni AAK-PSD, Afrim Hoti, ka thënë se gara mes Enver Hoxhajt dhe Behgjet pacollit për të marrë merita në diplomaci është bërë e “bajatshme”.
Hoti, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se diplomacia e Kosovës është ndërtuar gabimisht nga zeroja, përcjell Telegrafi.
“Shërbimi i jashtëm duhet të jetë i veçantë dhe nuk duhet të ndërtohet në bazë të praktikave të tmerrshme që kemi pasur nga qeverisja e brendshme”.
Kandidati i AAK-së për deputetë në Kuvendin e Kosovës ka thënë se ndërtimi i shërbimit të jashtëm është bërë në baza partiake, nepotike dhe karrieriste e asnjëherë në baza profesionale.
Hoti ka thënë se AAK e sheh transformimin ne diplomacisë nga një qasje pasive në kuptimin se “punët tona i kryejnë ndërkombëtarët” në një qasje më të fortë e më proaktive.
Ai ka thënë se Haradinaj ka krijuar një politikë më aktive duke bindur partnerët ndërkombëtarë si për ushtrinë edhe për taksën./Telegrafi/