Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në seancën e thirrur nga Opozita.
“I ftoj të gjithë kolegët e Kuvendit të Kosovës të vijnë në seancë për të miratuar rezolutën ‘Kosova nuk ka vullnet të bisedojë me Serbinë’ për shkëmbim territoresh. Kjo është VIJA E KUQE e rëndësishme në këtë dialog”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndryshe, seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë është caktuar të mbahet sot në ora 10:00.
Kjo seancë e cila u tentua të mbahej mbrëmë nuk filloi për shkak të mungesës së deputetëve, ku në sallë ishin vetëm 58 deputetë. /Telegrafi/