Site icon Telegrafi

Hoti flet për mungesën e drejtuesve nëpër institucionet kyçe: Kosova po funksionon si pa zot shtëpie, pasojat po i bartim të gjithë

Foto: Arkiv

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka komentuar mungesën e udhëheqësve nëpër institucionet kyçe në vend.

Sipas Hotit, mungesa e tyre po ka pasoja për të gjithë.

“Mungesa e udhëheqësve të institucioneve kyçe me pasoja për të gjithë. Kosova po funksionon si pa zot shtëpie. Institucionet kyçe, në veçanti ato për çështje ekonomike dhe financiare, janë pa drejtues për shumë kohë. Nuk ka asnjë arsyetim për këtë situatë të krijuar. Pasojat po i bartim të gjithë pa përjashtim”, shkruan Hoti.

“Kryeprokurori i Shtetit nuk është emëruar për më shumë se një vit. Trusti Pensional nuk ka Bord. BQK-ja mbetet pa Guvernator nga java e ardhshme. As zëvendësguvernator të zgjedhur nuk ka. Është një ushtrues detyre i Zëvendësguvernatorit, i cili do të bëhet ushtrues detyre i Guvernatorit. Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka drejtor të zgjedhur. Njësia për Inteligjencë Financiare nuk ka drejtor për më shumë se një vit. Komisioni për Ndihmë Shtetërore nuk është emëruar për më shumë se një vit”, shton ai.

Hoti thekson se ndoshta vendi nuk ka më nevojë për drejtues të këtyre institucioneve, pasi sipas tij, kryeministri po krenohet me arritjen e marrëveshjes me Serbinë në vilat e Titos në Ohër.

“Ndoshta nuk kemi nevojë më për drejtues të këtyre institucioneve. Ndoshta mjafton që e kemi kryeministrin, i cili krenohet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë në vilat e Titos në Ohër. Madje krenohet se i ka bërë Serbisë ofertë shumë gjeneroze për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por që ajo nuk e ka pranuar”, ka përfunduar Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version