Site icon Telegrafi

Hoti flet pasi u emërua nga Kurti kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur: Nuk e konsideroj pozitë pune, por obligim moral

Ish-deputeti i PDK-së nuk pret që të ketë probleme në këtë bashkëpunim me Kurtin për shkak të bindjeve politike.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Andin Hotin, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Hoti për RTV Dukagjinin këtë emërim nga ana e Kurtit e ka quajtur përgjegjësi të madhe.

“Këtë nuk e konsideroj pozitë pune, por obligim moral. Së pari si familjarë i personit të zhdukur e më pas si qytetarë që e kam obligim të ndihmojë në shërimin e kësaj plage”.

Djali i Ukshin Hotit thotë se çështja e të pagjeturve është plagë e madhe në Kosovë dhe sipas tij kjo pozitë nuk është aspak e lehtë për të.

Ai thotë se shpresojnë që përmes presionit të bashkësisë ndërkombëtare të detyrojnë Serbinë të hapë arkivat dhe të tregojë për fatin e personave të zhdukur në Kosovë.

Hoti thotë pavarësisht bindjeve politike, kjo çështje edhe nga Kurti është cilësuar si humane.

“Nga ana tjetër edhe kryetari i PDK-së e ka dhënë mbështetjen e plotë të tij që të përkrahim këtë çështje humane. Qëllimi i të gjitha subjekteve politike është që të zbardhet fati i personave të pagjetur. Besoj se do të ketë shumë bashkëpunim në këtë drejtim”

Ndryshe, Andin Hoti, është djali i Ukshin Hotit, intelektualit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, i cili rezulton i zhdukur tash e 22 vite.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të

veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë. Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur. /Telegrafi/

 

Exit mobile version