Site icon Telegrafi

Hoti shpreson se në tre katër muajt e ardhshëm përfundon pandemia, e quan model mënyrën si kanë menaxhuar mjekët

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti pas vizitës që i bëri Qendrës Klinike Universitare të Kosovës tha se mënyra si mjekët e kanë menaxhuar me pandeminë është model dhe është bërë punë e jashtëzakonshme, në veçanti duke pasur parasysh resurset e kufizuara.

Hoti theksoi se pavarësisht telasheve, asnjë pacient nuk ka ardhur në situatë që të mos arrijë të shtrihet në spital.

“Jemi në fund të kësaj pandemie, po shpresoj në tre katër muajt e ardhshëm dhe kërkoj mirëkuptimin e juaj që të mbahet sistemi i mobilizuar edhe ta përmbyllim me sukses këtë aktivitet që do të mbetet në historinë e shëndetësisë së Kosovës”, tha ai.

Hoti më tej tha se “Tash jemi para një situate të re po presim që vaksinat të shpërndahet. Kemi bërë përpjekje maksimale që të jemi në mesin e vendeve të para që e marrim vaksinën”, tha ai.

Ai tha se tani kanë planin e veprimit, që është përgatitur për personat që kanë prioritet për t’u vaksinuar.

Duke folur për masat në fuqi, tha se është krijuar disiplinë e mirë për respektimin e masave nga qytetarët, por sipas tij, duhet ai “sprinti i fundit” për të dalë në krye të pandemisë.

Ndërkaq, drejtori i Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se është bërë punë gjigande në ballafaqimin me pandeminë, ku edhe pas sa muajve virusi ende është enigmatik.

“Do të vazhdojmë ballëhapur deri në fund, deri në rastin 0. Nuk do të ndejmë asnjëherë lodhje në punën tonë….Vetëm së bashku mund të ja dalim…”, tha ai. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version