Telegrafi

Hoti: E tmerrshme, i gjithë ekipi zyrës së Thaçit angazhohet për të arsyetuar idenë e copëtimit të Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se është e tmerrshme që i gjithë ekipi i zyrës se Presidentit janë angazhuar për të arsyetuar idenë e shefit të tyre për copëtimin e shtetit të Kosovës.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është për keqardhje se si njëri nga këshilltarët e Thaçit që ka qenë  pjesë e të gjitha etapave të shtetndërtimit të Kosovës e arsyeton me pasion një marrëveshje ku Serbia duhet të marrë diçka.

Postimi i Hotit në Facebook:

“Është e tmerrshme që i gjithë ekipi i zyrës së Presidentit, që paguhen me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, janë angazhuar për të arsyetuar idenë e shefit të tyre për copëtimin e shtetit të Kosovës. Sonte njëri prej tyre, që kanë qenë pjesë e të gjitha etapave të shtetndërtimit të Kosovës, e arsyeton me pasion një marrëveshje të balancuar me Serbinë, ku Serbia duhet të marrë diçka. Për keqardhje”, ka shkruar Hoti.

Reagimi i Hotit vjen pas deklaratave të Blerim Shalës, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i cili sonte në një televizion  të Kosovës tha se duhet të arrihet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/