Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se është e tmerrshme që i gjithë ekipi i zyrës se Presidentit janë angazhuar për të arsyetuar idenë e shefit të tyre për copëtimin e shtetit të Kosovës.
Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është për keqardhje se si njëri nga këshilltarët e Thaçit që ka qenë pjesë e të gjitha etapave të shtetndërtimit të Kosovës e arsyeton me pasion një marrëveshje ku Serbia duhet të marrë diçka.
Postimi i Hotit në Facebook:
“Është e tmerrshme që i gjithë ekipi i zyrës së Presidentit, që paguhen me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, janë angazhuar për të arsyetuar idenë e shefit të tyre për copëtimin e shtetit të Kosovës. Sonte njëri prej tyre, që kanë qenë pjesë e të gjitha etapave të shtetndërtimit të Kosovës, e arsyeton me pasion një marrëveshje të balancuar me Serbinë, ku Serbia duhet të marrë diçka. Për keqardhje”, ka shkruar Hoti.
Reagimi i Hotit vjen pas deklaratave të Blerim Shalës, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i cili sonte në një televizion të Kosovës tha se duhet të arrihet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/