Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti po e akuzon bashkëkryesuesin e ekipit negociator, Shpend Ahmetin se i ka hequr të gjitha temat tabu në dialog me Serbinë.
Madje shefi i deputetëve të kësaj partie, në një postim në Facebook e ka quajtur Ahmetin “bashkëkryesues dekorativ të ekipit negociator”.
Hoti tutje ka thënë se tema tabu në dialog, janë shtetësia e Kosovës dhe territori i saj.
“Bashkëkryesuesi i ekipit dialogues ‘dekorativ’, z.Ahmeti, i paska hequr të gjitha temat tabu në dialogun me Serbinë. Kështu ka thënë z.Thaçi tash një vit, se nuk ka tema tabu dhe se marrëveshja do të jetë e dhimbshme. Ai, dhe kushdo tjetër, duhet ta dijë se tema tabu në dialog janë shtetësia e Kosovës, territori i saj, karakteri unitar i shtetit të Kosovës, aranzhimi kushtetues”, ka shkruar Hoti në facebook.
Ky reagim i Hotit, vjen pas deklaratave të fundit nga Shpend Ahmeti, që deklaroi se nuk do të ketë tema tabu në dialogun Kosovë-Serbi.
Këto deklarata Ahmeti i dha pas takimit të ekipit të dialogut, me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin. /Telegrafi/