Site icon Telegrafi

Hoti e quan “ekip dekorues” delegacionin e Kosovës për dialog me Serbinë

“Ekip dekorues” e ka cilësuar shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti delegacionin e Kosovës në dialog, që sot zhvilloi një takim me Mogherinin në Bruksel.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoti e ka vlerësuar si “paraqitjen më të dobët” të Kosovës.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e PSD-së në këtë ekip “është dekor për ta maskuar legjitimitetin e PAN-it”.

“Paraqitja e Kosovës sot në Bruksel asnjëherë nuk ka qenë më e dobët, më jo legjitim dhe me premisa për të shkaktuar më shumë dëme. Ky ekip negociator, me përfshirjen e PSD-së, është thjeshtë dekor për të maskuar mungesën e legjitimitetit të Koalicionit PAN. Në këtë format si është, ky ekip nuk ka fuqi të marrë vendime apo të kundërshtoj, dhe as të punoj unik. Rrjedhimisht, nuk mund të mbrojë interesat tona.  Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një delegacion i Kosovës të shkojë në Bruksel me qëllime kaq të paqarta dhe enigmatike sa ky ekip ‘negociator’ dekorues”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe, në takimin e sotëm të ekipit të dialogut, u tha se pritet një intensifikim i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurse Mogherini në anë tjetër kërkoi heqjen e taksës ndaj Serbisë. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version