Telegrafi

Hoti: E papranueshme anashkalimi i BSPK-së në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trusti

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar sërish Qeverinë e Kosovës.

Ai ka thënë se është “e papranueshme” që në zgjedhjen e anëtarit të bordit të Trustit të anashkalohet BSPK dhe të përzgjidhet një person që nuk plotëson kriteret ligjore.

Ai u ka bërë thirrje sindikatave që të bëhen bashkë për të parandaluar këtë shkelje.

“Unë ftoj të gjitha sindikatat të bëhen bashkë për të parandaluar këtë shkelje. Shihni letrën e BSPK-së dërguar Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Postimi i plotë:

Është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët, të anashkalohet BSPK-ja dhe të përzgjidhet një person që sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve në Bordin e Trustit Pensional që menaxhon kursimet pensionale të punëtorëve. Unë ftoj të gjitha sindikatat të bëhen bashkë për të parandaluar këtë shkelje. Shihni letrën e BSPK-së dërguar Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. 

Në fakt, kjo sjellje e qeverisë nuk është asgjë e re tanimë. Gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social. Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet. Puna e Këshillit Ekonomik-Social është paralizuar. Pagesat simbolike që punëtorët kanë bërë si kontribut i anëtarësisë në sindikata tani kontrollohen nga Qeveria dhe tani këto lloj pagesa janë përgjysmuar. Secili sindikalist që ka kundërshtuar qeverinë është linçuar nga zyrtarë e militantë të partisë në pushtet, të cilat linçime janë pasuar me veprime të tjera në organizatën përkatëse.

Këta mashtrues që bëjnë thirrje për fuqizim të sindikatave në sektorin privat po e pengojnë me çdo formë organizimin sindikal në sektorin publik. /Telegrafi/