Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë në lidhje me ecurinë e procesit të dialogut.
Përmes një shënimi në Facebook, Hoti thotë se kjo qeveria hoqi dorë nga dialogu që zhvillohej në Uashington derisa tani atë e zhvillojnë skutave e plazheve.
“Këta demagogë heqin dorë nga dialogu për njohje reciproke, që kishte nisur në qeverinë paraprake në koordinim me aleatët, e që zhvillohej në Bruksel e Uashington”.
“Dialogun e zhvillojnë skutave, hoteleve të plazheve e në darka private. Arrijnë marrëveshje të përkohshme në villën e Titos në Ohër, ku marrin obligime për autonomi për serbët dhe zbatim të asociacionit, të cilin e kishin kundërshtuar dhunshëm, në këmbim të disa obligimeve gjysmake, abstrakte e të paverifikueshme që pala serbe duhet të përmbushë”.
Deputeti opozitar thotë se kjo qeveri mori obligime në Ohër për autonomi për serbët derisa sipas tij të njëjtët tash kërcënojnë aleatët.
“E tash ankohen e “kërcënojnë” aleatët pse ata po i kushtëzojnë proceset euro-integruese të Kosovës me respektim të kësaj marrëveshje”.
“Shtetin e Kosovës e ruajt Zoti, se zot shtëpie nuk ka momentalisht!”, ka shkruar tutje ish-kryeministri i Kosovës./Telegrafi/