Telegrafi

Hoti: Çdo deklarim se LDK-ja është kundër sponsorizimit të sportit dhe kulturës është i pavërtetë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka takuar përfaqësues të sportit dhe të kulturës me të cilët ka diskutuar për legjislacionin për sponsorizim.

Hoti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se çdo deklarim se LDK-ja është kundër sponsorizimit të sportit dhe kulturës është i pavërtetë dhe tendencioz.

Ai ka thënë se LDK-ja e mbështetë cilëndo zgjidhje, por verzioni i parë është në interesin më të mirë të zhvillimit të sportit dhe kulturës.

Postimi i plotë:

Sot kam pritur në zyrë përfaqësues të sportit dhe kulturës për të biseduar për legjislacionin për sponsorizim.

Ju sqarova në detaje dy versionet e sponsorizimti:

1. Verzioni që është propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, që udhëhiqet nga LDK-ja, e rrit potencialin për sponsorizim të sportit e kulturës deri në 300 mil euro brenda vitit. Në këtë verzion, sponsorizimi caktohet si përqindje e fitimit bruto. Shuma e sponsorizimt zbritet nga fitimi bruto dhe njihet si shpenzim nga ATK-ja. Kjo nënkupton se biznesi dhe shteti bashkërisht e mbështesin sportin dhe kulturën. Biznesi përfiton duke promovuar veten dhe duke ndihmuar sportin e kulturën. Se sa shfrytëzohet ky potencial, varet nga vullneti i bizneseve dhe insistimi/kërkesat e klubeve sportive për të siguruar sponsorizime.

2. Sipas verzionit që e ka propozuar deputeti i PDK-së, potenciali për sponsorizim të sportit është vetëm 30 mil euro brenda vitit. Kjo pasi sponsorizimi kufizohet në 30% të tatimit që biznesi i obligohet shtetit. Pra, biznesi e sponsorizon sportin vetëm me mjetet nga tatimi që i obligohet shtetit, dhe rrjedhimisht nuk është sponsorizim, por subvencionim i sportit nga shteti.

LDK-ja e mbështetë cilëndo zgjidhje, por verzioni i parë është në interesin më të mirë të zhvillimit të sportit dhe kulturës.

Çdo deklarim se LDK-ja është kundër sponsorizimit të sportit dhe kulturës është i pavërtetë dhe tendencioz./Telegrafi/