Telegrafi

Inaugurohet në Istog kompleksi memorial “Ibrahim Rugova”, Hoti: Bota e njohu Kosovën nëpërmjet Presidentit

Sot në Istog është inauguruar kompleksi memorial “Dr.Ibrahim Rugova”, ndërsa me këtë rast kryeministri i vendit, Avdullah Hoti tha se Istogut përmes shtatores, po i kthehet djali i zgjedhur, ideatori si dhe prijësi për Kosovën e Pavarur, presidenti Ibrahim Rugova.

Hoti tha se nga sot ky qytet do të ketë shtatoren e njeriut që priu në epokën më të lavdishme në të cilën identifikohet shteti i Kosovës.

“Zbulimi i shtatores së president është shenjë e kujdesit  të qytetarëve për prijësin e tyre dhe ideatorin e Kosovës të Pavarur. Istogut po i kthehet djali i zgjedhur i cili ky vend ia dha shtetit. Nga sot ky qytet fatlum do të ketë edhe një shenjë më shumë në vet, shtatoren që njeriu i priu në epokën më të lavdishme në të cilën identifikohet shteti i Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu u shpreh se Presidenti Rugova nga bota e letrave të historisë dhe trashëgimisë kulturore kaloi në botën e politikës.

“Dija e vetëdija për historinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të etnisë i ndihmuan që nga bota e letrave të kalonte lehtësisht në botën e politikës, në të cilën mbeti i veçantë i dashur dhe i papërsëritshëm. Me urtësinë dhe largpamësinë e tij Rugova e trasoi të ardhmen e Republikës së Kosovës. Bota e njohu Kosovën nëpërmjet Rugovës i cili me dije dhe takt diplomatik arriti të ndërkombëtarizonte Kosovën. Në frymën e Bogdanit të pasardhësve të tij, Rugova e orientoi politikën tonë në frymën perëndimore. E mori në dorë fatin e Kosovës në një periudhë shumë të rëndë, kur ish Federata Jugosllave po shpërbëhej rrëmujshëm dhe për Kosovën nuk dinte askush”, tha ndër të tjera Hoti.

Kryeministri gjithashtu tha se duke u vënë në krye të LDK-së në lëvizje për liri dhe pavarësi, presidenti Rugova, u shndërrua shpejt në prijësin gjithë popullor.

“Kërkesa e kamotshme e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi u legalizua nga Rugova. Lidhja me Amerikën dhe shtetet e NATO-s ishte vendimtare për shpëtimin nga gjenocidi serb. Ato po na ndihmojnë dhe sot, jo vetëm në luftimin e  pandemisë po pa përjashtim. Do të vazhdojmë ta kultivojmë bashkëpunimin me miqtë tanë”, ka thënë kryeministri Hoti. /Telegrafi/