Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, borxhin publik të Kosovës.
Borxhi publik ka arritur në 804 milionë euro, që është 13% e Produktit të Brendshëm Bruto që vlerësohet të jetë 6.03 miliard euro, transmeton Koha.net.
“Kjo vlerë është shumë e ulët krahasuar me vendet në rajon, të cilat kanë borxh prej 40% deri në 76% të BPV-së së tyre”, thotë Hoti.
Sot, sipas Hotit, 87% e borxhit që ka Kosova është në valutën euro, që nuk ka rrezik në rritjen e obligimeve për pagesën e borxhit si rezultat i ndryshimit të kursit të këmbimit të euros me valutat e tjera. Edhe pjesa e mbetur, gjithnjë sipas Hotit, është në valuta të shteteve të fuqishme dhe në valutë SDR, për të cilat kursi i këmbimit karshi euros është i qëndrueshëm.
“Po ashtu, 82% e borxhit është me normë fikse të interesit dhe mjaft të ulët. Pjesa tjetër e borxhit ka normë variabile të interesit, por që për shkak të stabilitetit në tregjet financiare nga ku ka huazuar Kosova, rreziku është mjaft i ulët”, shton më tej Hoti, teska përfundon duke thënë se qeveria do të vazhdojë të jetë shumë e kujdesshme në rritjen e borxhit për të ruajtur strukturën shumë të volitshme të borxhit publik.