Ministri i Financave Avdullah Hoti gjatë vizitës në Austri është takuar me përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve me të cilët ka diskutuar për mundësitë e investimeve në Kosovë, me këtë rast ministri Hoti shpalosi instrumentin e ri financiar- Bono për Diasporën.
“Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën, dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh dhe me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja”.
“Çdo vit në Kosovë, në formë të remitencave vijnë rreth 600 milionë euro nga diaspora. Kapaciteti financiar nuk shfrytëzohet sa duhet, remitencat shkojnë për konsum ose patundshmëri. Andaj, kjo është një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi,” shtoi ministri Hoti.
Ai bëri të ditur se ky instrument ka për qëllim të nxisë diasporën që të investoj në letra me vlerë të Qeverisë dhe të kontribuoj në zhvillimin ekonomik të vendit. “Për Kosovën, Bonot janë mundësi e mirë për zhvillim. Interesi që paguhet mbetet në duart e bashkatdhetarëve dhe gjithashtu krijon lidhje më të forta financiare me diasporën”.
Në këtë takim ministri Avdullah Hoti gjithashtu i informoj të pranishmit edhe për reformat që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës për të lehtësuar të bërit biznes në Kosovës. Si pjesë e këtyre reformave ai shpalosi para tyre pakon e re fiskale, ligjin për Investime Strategjike, Fondin Kosovar për Sigurimin e Kredive si dhe Klauzolën e Investimeve.
Ndërsa, përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve në Austri gjatë takimit me Ministrin Hoti shprehën falënderimet e tyre për interesimin e Qeverisë së Kosovës, e cila po i ofron mundësi edhe diasporës për të investuar në Kosovë përmes Bonove të Thesarit, ku sipas tyre kjo i mundëson diasporës të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ata gjithashtu shprehën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për të investuar në Kosovë, qoftë përmes bonove për diasporën apo edhe në forma të tjera të investimeve në Kosovë. /Telegrafi/