Telegrafi

Hoti bisedoi me raportuesin për Kosovën, Beyer: Deklaratat kërcënuese të zyrtarëve të Serbisë nuk e ndihmojnë procesin e dialogut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti zhvilloi një takim virtual me raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer, me të cilin bisedoi për gjendjen e pakicave, lirinë e medias dhe zhvillimet aktuale në vend, tema këto që do të jenë pjesë e raportit ‘’Situata në Kosovë’’.

Në njoftim thuhet se Hoti dhe Beyer kanë biseduar për situatën aktuale në vend, sfidat që ka shkaktuar pandemia COVID-19 dhe masat të cilat i ka marrë qeveria deri më tani për të menaxhuar sa më mirë situatën.

Kryeministri Hoti ngriti edhe çështjen e Presidentit, ku theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

Në këtë takim u bisedua edhe për procesin e dialogut Kosovës-Serbi, i cili aktualisht po zhvillohet në nivel të ekspertëve.

Hoti theksoi se deklaratat kërcënuese nga zyrtarë të lartë të Serbisë nuk e ndihmojnë këtë proces. /Telegrafi/