Telegrafi

Hoti: Ata që po negociojnë fshehtas me Serbinë do të përballen me refuzim popullor

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se “ata që po bëjnë negociata fshehtas dhe pa mandat le ta dinë se do të përballen me refuzim popullor”.

Hoti përmes një postimi në  Facebook, ka thënë se “Republika e Kosovës, me aranzhimin e saj kushtetues bazuar në Planin e Ahtisarit, është e arritura më sublime e nacionalizimit shqiptar dhe kompromisi që kemi bërë për paqe në rajon”.

“Çdo marrëveshje me Serbinë që e cenon këtë arritje dhe funksionalitetin e Republikës, duke bërë ri-aranzhime kushtetuese, do të jetë e pa pranueshme”.

“Ata që po bëjnë negociata fshehtas dhe pa mandat le ta dinë se do të përballen me refuzim popullor”, ka shkruar Hoti.

Përfaqësues të LDK-së, por edhe vetë kryesia e kësaj partie, janë shprehur kundër që presidenti i vendit Hashim Thaçi të udhëheq dialogun me Serbinë në Bruksel.  /Telegrafi/