Ish-Kryeministri, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka dështuar në menaxhimin e procesit zgjedhor.
Hoti ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të fundit, të shpallura pas pesë javësh, tregojnë se sistemi ka dështuar në sigurimin e një procesi kredibil dhe me integritet.
“Shpallja e rezultateve të zgjedhjeve pas 5 javë tregon dështimin e sistemit për menaxhimin e procesit zgjedhor. KQZ-ja ka dështuar të sigurojë një proces zgjedhor kredibil dhe me integritet.”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.
Sipas tij, ky dështim është i turpshëm, pasi Kosova kishte arritur të organizonte zgjedhje të ngjashme me standardet evropiane në të kaluarën.
Kritikat e Hotit nuk ndalen këtu. Ai ka theksuar se ky dështim ka ndodhur pavarësisht nga kultura e lartë demokratike që qytetarët e Kosovës treguan në ditën e zgjedhjeve: “Kjo është për keqardhje pas kulturës demokratike të treguar nga qytetarët në ditën e zgjedhjeve.”
Hoti ka përmendur edhe çështjen e votave nga diaspora, për të cilat ka hedhur dyshime, sidomos për votimin në ambasada dhe përmes postës.
Ai ka theksuar se: “Njollë e këtyre zgjedhjeve do të mbetet edhe çështja e votave nga diaspora, për të cilat janë hedhur dyshime, si për votimin në ambasada/konsullata, ashtu edhe për votimin me postë.”
Hoti ka shtuar se këto dështime nuk i ka merituar Kosova dhe se për këtë situatë duhet të mbajnë përgjegjësi jo vetëm KQZ-ja, por edhe ata që janë përgjegjës politikisht dhe ligjërisht. /Telegrafi/