Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se aktori Adem Mikullovci ka lënë pas vetës një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.
Hoti ka ngushëlluar familjen e aktorit Mikullovci, duke thënë se ai do të mbetet frymëzim për brezat e rinj, transmeton Telegrafi.
“Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë. Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë. Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, Hoti ka thënë se Mikullovci përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq.
“Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës. Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve. Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem”.
Aktori Mikullovci ka ndërruar jetë mbrëmë pas mesnate në moshën 83-vjeçare, varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Dragodan./Telegrafi/