Site icon Telegrafi

Hoti: AAK dhe Nisma ta ndalin Thaçin, ose do ta ndalin qytetarët

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se askush nuk ka mandat të dialogojë për territorin e Kosovës, ndërkaq presidenti Hashim Thaçi nuk ka mandat as të zhvillojë dialog me Serbinë.

Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Thaçi duhet të ndalet nga Kuvendi ose nga qytetarët kundër këtyre skemave për të minuar shtetësinë e Kosovës.

Lexo po ashtu Përfundon pa ndonjë marrëveshje takimi Thaçi - Vuçiq

Lexoni të plotë postimin e Hotit në Facebook:

“Askush nuk ka mandat të dialogojë për territorin e Kosovës, ndërkaq Thaçi nuk ka mandat as të zhvillojë dialog me Serbinë. Ai duhet të ndalet nga Kuvendi ose nga qytetarët kundër këtyre skemave për të minuar shtetësinë e Kosovës.

Një kryeministër i dobët politikisht, që merret vetëm me punë të brendshme për interesa të ngushta politike dhe me popullizëm të dëmshëm për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit, e ka sjellë Kosovën në pozitën më të keqe në marrëdhëniet me jashtë në dhjetë vite si shtet i pavarur.

Skena politike duhet të jetë e unifikuar në veprime, e jo vetëm në deklarime për ta ndalur Thaçin të hyjë në pazare për Kosovën. Opozita sot është e unifikuar në veprime. AAK dhe Nisma duhet të tregojnë vendosmëri për ta ndalur Thaçin përmes Kuvendit duke e mbështetur rezolutën e opozitës. Ndryshe qytetarët do ta ndalin atë përmes shprehjes së refuzimit masiv, por atëherë AAK dhe Nisma do të bartin përgjegjësinë para qytetarëve njësoj sikurse PDK”. /Telegrafi/

Exit mobile version