Site icon Telegrafi

Hoti: 53 milionë euro për autostradën abuzim i parasë publike

Ndarja edhe e 53 milionë euro për kompaninë Bechtel-Enka,e cila po ndërton autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, janë abuzim i parasë publike siç ka qenë abuzim edhe falja e 60 milion eurove për borxhe të ndryshme.

Kështu ka thënë shefi i Grupit Parlamentarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën e rregullt javore të kësaj partie.
Hoti tha se kryeministri dhe ministrat e tij, se nuk mund të fshihen pas vendimeve të tyre.

“53 milionë euro për autostradë, më lejoni të them që ky është abuzim i parasë publike siç ka qenë abuzim edhe falja e 60 milionë eurove për borxhe të ndryshme. Mandej ndarja e mjeteve të vazhdueshme nga rezerva shtetërore pa asnjë kriter, rritja e pagave për kabinetin qeveritar ose shpenzimet që bëhen për zëvendës ministrave tash edhe për koordinatorët. Siç është cilësuar nga plot analistë kjo është plaçkë moderne institucionale e shpenzimeve të parasë publike. Duhet ta kenë të qartë kryeministri dhe ministrat e tij, se nuk mund të fshihen pas vendimeve të tyre”, ka thënë ai.

Hoti tregoi se kanë kërkuar interpelancë nga kryeministri Haradinaj në lidhje me këtë çështje. “Presim javën e ardhshme të hapet procedurë për tu marr me këtë temë”, ka thënë ai.

Shefi i GP të LDK-së, Hoti tregoi shqetësimin e kësaj partie sa i përket rritjes së rreziqeve të paqëndrueshmërisë fiskale në vend.

“Një delegacion nga FMN ka qëndruar në Kosovës dhe mes tjerash janë shprehur shqetësime lidhur me paqëndrueshmëri e financave publike në vend dhe mungesën e reformave për mbështetjen e sektorit privat. Vlerësojmë si parti se përkeqësimi i rritjes së rreziqeve fiskale do të ketë pasoja viteve të ardhshme duke i dëmtuar shpenzimet publike kapitale dhe rrjedhimisht duke i dëmtuar qytetarët. Ndërkaq mungesa e reformave për të mbështetur sektorin privat do të çoj në rritje të papunësisë dhe do të ndërroj termi ‘rënësi i papunësisë’, që ishte në qeverisjen e kaluar”, ka thënë Avdullah Hoti nga LDK-ja. /Telegrafi/

Exit mobile version