Hotel Premium Park në Prizren ka vënë të gjitha dhomat në dispozicion për të prekurit nga tërmeti i Shqipërisë. Pronari i këtij hoteli thotë se ata mund të qëndrojnë për aq kohë sa ndjehen të rrezikuar ndërkaq njëra nga të mbijetuarat e cila aktualisht është e akomoduar në këtë hotel rrëfen nën lot për tmerrin e përjetuar.
Silvana Kushi nga Durrësi bashkë me familjen e saj, janë vendosur në Prizren.
Ajo rrëfen nën lot momentin kur banesa e saj ishte përfshirë nga dridhjet e gjithashtu edhe frikën se mos nuk do ia dilnin të largoheshin me të bijën.
“Vajza ime e vogël ulërinte dhe ti nuk mund ta humbje kontrollin. Ndërkohë që instinkti të hapë derën të dalësh, ti nuk arrije dot të shkojë të dera. Pas shumë lëkundjesh u kapur për dore të dyja dhe shkuam te dera dhe hapëm derë për të dalë. Por ishte e pamundur të shkonim poshtë e të dilnim jashtë. Thamë kjo ishte, aq e kishim. Të paktën thamë të përqafoheshim dyja dhe të prisnim. Kam mbështjellë Ingridin [bijën] fortë në ato momente dhe kemi ngelur në vend”, rrëfen për RTV Dukagjinin, e mbijetuara e tërmetit Silvana Kushi.
Shembja e banesave në Shqipëri pas tërmetit, bëri që shumë familje të marrin rrugën për në Kosovë, megjithatë e rëndësishme për ta ishte që shpëtuan të gjallë, përcjell Telegrafi.
E Hotel Premium Park në Prizren, ka vënë në dispozicion të gjitha dhomat. Pronari i këtij hoteli, Kushtrim Kabashi, ka njofton se deri më tani 19 dhoma janë zënë.
“Duke parë gjendjen e tyre kemi vendosur që të gjithë ata që kanë nevojë për strehim të vijnë këtu dhe të akomodohen me ushqim e me të gjitha deri në ditën kur të kthehen në Shqipëri. Momentalisht janë akomoduar rreth 19 familje me rreth 5 persona. Hoteli posedon 48 dhoma ndërsa 29 prej tyre janë në dispozicion të atyre që kanë nevojë për strehim”, thotë Kushtrim Kabashi, pronar i Hotel Premium Park.
Përpos Kabashit, populli i Kosovës në përgjithësi është mobilizuar në ndihmë të shqiptarëve të Shqipërisë./RTV Dukagjini/Telegrafi/