Site icon Telegrafi

Horror në Ukrainë, të pastrehët duke kërkuar ushqim në kontejnerët e mbeturinave hasin në kufomën e një foshnje

Dy të pastrehë nga Melitpoli, qytet në juglindje të Ukrainës, kanë gjetur të dielën në mëngjes trupin e një foshnje të porsalindur, derisa po kërkonin ushqim.

Burri dhe gruaja gjetën foshnjën në kontejner mbeturinash në afërsi të një kompleksi banesor në rrugën Jarsolav, dhe menjëherë i telefonuan policisë, transmeton Telegrafi.

Siç raportojnë mediat e atjeshme, foshnja ishte mbështjellë me peshqir ngjyrë rozë, e më pas ishte futur në një qese najloni dhe hedhur në kontejner.

Dyshohet se trupi ishte hedhur në kontejner gjatë natës, duke marrë parasysh se shërbimet komunale kishin zbrazur kontejnerët në atë rajon gjatë të shtunës pasdite.

Në vendin e ngjarjes dolën menjëherë ekipet e forenzikës, për të marrë gjurmët që mund të jenë kyç në zgjidhjen e këtij krimi makabër.

Mediat ukrainase raportojnë se kufoma e djaloshit nuk ka ndonjë shenjë se mund të jetë ushtruar dhunës, e menjëherë më pas është dërguar për obduksion.

Çifti që gjeti foshnjën, thonë se në shikim të parë nuk e kishin kuptuar se kufoma e foshnjës është në qesen e najlonit.

“Kontrollova për të parë se çfarë ka brenda. Tentova ta nxjerrë, ishte e rëndë”, tha burri që e gjeti.

E gruaja që ishte me të tha se mendonte se bëhet fjalë për ndonjë lloj kukulle.

“Mendova se është ndonjë lloj kukulle. I futa duart dhe ndjeva fytyrën. Aty e kuptuam menjëherë se për çfarë bëhet fjalë”, shtoi ajo.

Dyshja kishin alarmuar kalimtarët e rastit nga të cilët kërkuan që t’i telefonojnë policisë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version