Site icon Telegrafi

Holanda do ta ndihmojë Maqedoninë në përforcimin e etikës gjyqësore

Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve të Maqedonisë, Xhemali Saiti dhe ambasadori holandez, Vilem Wouter Plomp, sot e promovuan projektin “Përmirësim i mekanizmave për përforcim të etikës gjyqësore – ndarje e praktikave të mira në rajon dhe BE”, qëllimi i të cilit është etablimi dhe funksionimi i Trupit për etikë gjyqësore të Shoqatës së gjykatësve.

Projekti, siç sqaroi Saiti, duhet të japë mbështetje për funksionimin dhe zhvillimin inicial të Trupit këshillëdhënës për etikë gjyqësore, që do të çojë drejt vendosjes së mekanizmave vetërregullues për promovim dhe respektim të parimeve të Kodit për etikë gjyqësore nga ana e gjykatësve.

Shtoi se target grupet e projektit janë gjykatësit dhe institucionet e jurisprudencës dhe se projekti duhet të jetë në dobi të rezistencës së gjykatësve ndaj presioneve të mundshme.

Ambasadori Plomp theksoi se pavarësia dhe funksionimi ligjor i jurisprudencës është më me rëndësi, sepse ndikon ndaj jetës së qytetarëve, por edhe në besimin e tyre që e kanë ndaj funksionimit të organeve juridike.

Theksoi se sipas hulumtimit të përpunuar nga Instituti për demokraci, që ishte publikuar këtë javë, 72 për qind e të anketuarve konsiderojnë se lidhjet politike, por edhe ato familjare kanë ndikim ndaj asaj se kush është bërë kryetar i gjykatësve, dhe kjo, siç theksoi, duhet të përmirësohet menjëherë.

Projekti, i cili do të zgjasë 15 muaj, ndërkaq ka filluar më 1 dhjetor të këtij viti, është i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Maqedoni, ndërkaq do të zbatohet në bashkëpunim me Shoqatën holandeze të gjykatësve dhe Shoqatën e gjykatësve të Republikës së Maqedonisë.

Exit mobile version