Site icon Telegrafi

Holanda raporton rekord rastesh të reja me coronavirus

Holanda ka regjistruar një rekord rastesh të reja nga coronavirusi, përderisa edhe vendet e tjera evropiane kanë filluar të përballen rëndë me pandeminë.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, vendi raportoi afro 7,400 infeksione brenda 24 orëve të fundit.

Duke parë rritjet e fundit nga coronavirusi, qeveria pritet që të ndërmarrë kufizime të reja parandaluese.

Ndërkohë, përveç Holandës, shumë vende të tjera evropiane po përballen me rritje të rasteve me sëmundjen e COVID-19; ndër to janë Franca, Spanja dhe Britania e Madhe.

Ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë, pati deklaruar se coronavirusi po u shkakton popullatës së Evropës dëme emocionale, duke qenë se ata kishin jetuar për disa muaj me përçarje dhe pasiguri.

Ndryshe, numri i përgjithshëm i të prekurve globalisht nga COVID-19 u rrit në 37.8 milionë, ndërsa rreth një milion njerëz kanë ndërruar jetë. /Telegrafi/

Exit mobile version