Telegrafi

Holanda nënshtron Austrinë dhe kualifikohet tutje

(Foto: Twitter/OnsOranje)

Kombëtarja e Holandës e ka fituar edhe ndeshjen e dytë kualifikuese në kuadër të fazës grupore të ‘Euro 2020’.

Në sfidën e zhvilluar në Johan Cruijff ArenA të Amsterdamit, Tulipanët fituan me rezultat 2-0 kundër Austrisë duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Kampionatit Evropian.

Mjaftuan 11-të minuta lojë dhe holandezët kaluan në epërsi. Ishte një penallti e akorduar në favor të tyre, të cilën e konvertoi në gol Memphis Depay.

(Foto: Twitter/OnsOranje)

Me këtë diferencë minimale (1-0), skuadrat shkuan në pushim pas 45 minutave të para, edhe pse nuk munguan rastet tjera.

Gjysma e dytë solli një tjetër gol për holandezët. Denzel Dumfries e dyfishoi epërsinë pas asistimit nga Donyell Malen (67’).

(Foto: Twitter/OnsOranje)

Austriakët nuk arritën që të tregoheshin kundërshtar i denjë për Tulipanët, ashtu që kanë mbetur në kuotën e tri pikëve falë fitores ndaj Maqedonisë së Veriut, derisa sfidën e fundit në Grupin C e zhvillojnë ndaj Ukrainës dhe kanë përballje të drejtpërdrejtë për kualifikim.

Ndërkohë, Holanda numëron gjashtë pikë nga dy fitore dhe tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në 1/8 e finales së ‘Euro 2020’. /Telegrafi/