Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Parlamenti holandez ndezi dritën jeshile për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në këtë të mërkurë.
“Parlamenti holandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim. Jua kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan Shqipëria u zhbllokua. Sidoqoftë faleminderit me mirënjohje se #SkaKohëPërPushim”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ndryshe, Parlamenti i Holandës ka marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, ndërsa kjo dritë jeshile u hap vetëm pas zgjedhjeve në Holandë, ku kryeministër u zgjodh Mark Rutte.
Vendimi është përcaktuar ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm në parlamentin holandez, ndërkohë që nesër pritet të konfirmohet nga seanca plenare.
Ministrja e re e Jashtme holandeze, Singrid Kaag ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, duke nënvizuar se ky shtet ballkanik së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Qeveria holandeze para disa ditësh shprehu mbështetje për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë duke theksuar se vendi së fundmi ka bërë përparim me reformat për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe në fusha të tjera, por duhej edhe vendimi i opozitës holandeze që të hapej rruga për në BE.
Pas këtij qëndrimit pozitiv të Holandës dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria apo Italia ka shpresa që Shqipërisë do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 qershorit të Këshillit Evropian që do të pasojë Konferencën Ndërqeveritare. /TCH/