Site icon Telegrafi

Holanda edhe zyrtarisht për pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë

Holanda i dërgoi njoftim zyrtar Komisionit Evropian se dëshiron të iniciojë mekanizmin për pezullimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Natasha Bertaud, zëdhënëse e Komisionit Evropian, tha se Komisioni “do të shqyrtojë me kujdes përmbajtjen e njoftimit, bazuar në informacionet relevante”.

“Komisioni Evropian tani do të njoftojë Këshillin e Ministrave dhe Parlamentin Evropian dhe njoftimi do të jetë subjekt i një vlerësimi dhe një analize serioze”, tha Bertaud.

Njoftimi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, arriti më 31 maj, ndërsa Komisioni Evropian ka një muaj kohë për ta shqyrtuar këtë kërkesë.

Këta hapa janë rezultat i një nisme të deputetëve holandezë, të cilët e kanë arsyetuar këtë kërkesë me, siç kanë thënë, rritjen e aktiviteteve kriminale të mafias shqiptare në Holandë.

Sipas tyre, këto organizata kriminale e keqpërdorin mundësinë e udhëtimit pa viza në Evropë dhe në këtë mënyrë e zgjerojnë rrjetin e tyre të kontrabandës.

Qytetarët e Shqipërisë lëvizin pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian qysh në vitin 2010.

Kërkesa e Holandës për pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë është e para e këtij lloji.

Sipas procedurës, Komisioni Evropian duhet të informohet me kërkesën e tillë nga një ose më shumë shtete anëtare. Pastaj, ky institucion duhet të vlerësojë nëse është i nevojshëm veprimi, bazuar në të dhënat dhe informatat relevante. /Rel/Telegrafi/

Exit mobile version