Një reagim i furishëm ka ardhur nga ana e Izraelit pasi ministri i jashtëm rus, Sergeri Lavrov, tha se lideri nazist, Adolf Hitler “kishte gjak hebre”.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Lavrov e bëri këtë pretendim kur u përpoq të justifikonte pushtimin rus të Ukrainës.
I pyetur në një intervistë televizive italiane se si Rusia mund ta portretizojë Ukrainën si një vend nazist kur vetë presidenti i Ukrainës është hebre, Lavrov tha se kjo ishte e parëndësishme.
“Fakti nuk i mohon elementet naziste në Ukrainë. Unë besoj se Hitleri gjithashtu kishte gjak hebre”, tha ai.
Komentet e tij theksojnë një pretendim historik të pavërtetuar se gjyshi nga ana e babait të Hitlerit mund të ketë qenë hebre.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, e quajti deklaratën e Lavrov “të pafalshme dhe mizore .. si dhe një gabim të tmerrshëm historik”, derisa ka kërkuar nga ai që të kërkojë falje.
Kryeministri izraelit Naftali Bennett tha: “Gënjeshtra të tilla kanë për qëllim të fajësojnë vetë hebrenjtë për krimet më të tmerrshme në histori dhe kështu të çlirojnë shtypësit e hebrenjve nga përgjegjësia e tyre.
“Asnjë luftë sot nuk është Holokausti apo si Holokausti”.
Ndryshe, Gjermania naziste vrau gjashtë milionë hebrenj në Holokaustin në Luftën e Dytë Botërore. /Telegrafi/