Site icon Telegrafi

Hite, performancë e përshëndetje në shqip – gjithçka rreth paraqitjes spektakolare të Dua Lipës në Prishtinë

Koncerti i Dua Lipës në Prishtinë. Foto: Telegrafi

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka elektrizuar në mbrëmjen e djeshme (e premte) publikun shqiptar.

Në koncertin e mbajtur në parkun “Gërmia” në kuadër të festivalit “Sunny Hill”, Dua ka interpretuar para publikut hitet e saj më të mëdha.

Atmosfera në natën e parë të festivalit “Sunny Hill” (Foto: Telegrafi)

Ajo doli në skenë rreth orës 00:40, pas performancës së artistit tjetër të suksesshëm, Stanaj.

“Blind your mind” është kënga me të cilën Dua filloi paraqitjen e saj në festival, teksa me të hipur në skenë, publiku shqiptar e priti me ovacione.

Publiku shqiptar e priti me ovacione të mëdha artisten me famë ndërkombëtare, Dua Lipa (Foto: Instagram)

Më pas, ajo ka vazhduar duke interpretuar ‘live’ të gjitha këngët tjera me radhë, ndër to edhe këngët e suksesshme si “New Love”, “One Kiss”, “IDGAF”, si dhe bashkëpunimin me Martin Garrix, “Scared to be lonely”.

Performanca e saj u përmbyll me hitin më të madh të saj “New Rules”, këngë e cila theu rekorde vitin e kaluar për jetëgjatësi në toplistat britanike.

Dua këndoi për publikun shqiptar disa nga hitet e saj më të mëdha (Foto: Telegrafi)

Përgjatë performancës, Dua është ndjerë shumë e emocionuar dhe ka biseduar shqip me fansat e saj.

“Prishtinë ju dua”, janë fjalët që këngëtarja me famë botërore thoshte më shpesh drejtuar publikut.

Momente nga performanca e Dua Lipës në skenë (Foto: Telegrafi)

E duket se pasi filloi të çlirohej nga emocionet, ajo nuk harroi t’i përshëndesë të gjithë ata që mundësuan realizimi dhe ardhjen e saj në festival.

“Tani pasi u çlirova pak në të folurit shqip, dua t’i falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij festivali: Republikën, babain tim, si dhe të gjithë artistët që kanë kënduar dhe janë pjesë e ‘SunnyHillit’. E kanë ndezur skenën”, ka thënë ndër të tjerash Dua Lipa.

Dua Lipa, e zjarrtë në skenë para publikut shqiptar (Foto: Instagram)

E njëjta ka interpretuar live me orkestër të gjitha këngët e saj,duke krijuar një atmosferë sa impozante aq edhe elektrizuese për publikun shqiptar.

Ky është koncerti i dytë për Dua Lipën në Prishtinë, pasi një të tillë e kishte mbajtur edhe dy vite më parë.

Koncerti i dytë i Dua Lipës në Prishtinë, gusht 2018 (Foto: Telegrafi)

Për të treguar se është patriote e vërtetë, Dua përveçse ishte veshur kuq e zi, ashtu siç kishte paralajmëruar, ajo ka bërë edhe simbolin e shqiponjës disa herë me duar gjatë performancës së saj. /Telegrafi/

Dua Lipa bëri simbolin e shqiponjës para fansave të saj në Prishtinë (Foto: Telegrafi)

Exit mobile version