Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e sotme në Pejë.
Në një njoftim për media, kryesia e LHK “Ali Hadri”, dega në Deçan, kanë përsëritur qëndrimin se shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është gabim.
“Kryesia e LHK ‘Ali Hadri’ dega në Deçan, vlerëson se Komisioni shtetërore i kryesuar nga Murat Meha, kanë bërë gabime të mëdha në shënimin e vijës kufitare, kur dihet se ata kanë realizuar apetitet shekullore të Malit të Zi, për të kontrolluar territorin e Rrafshit të Dukagjinit, nëpërmjet vendosje në periferi të Qytetit të Pejës. Kryesia e LHK ‘Ali Hadri’ dega në Deçan, vlerëson se Murat Meha si nip i Emin Latit, ka devijuar nga rruga kombëtare dhe si i tillë ai duhet të jepe dorëheqje nga drejtimi i Komisionit dhe të kërkoj falje për gabimet e bëra dhe në të njëjtën kohë bashkë me të duhet të shkoj edhe anëtarët e tjerë të Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, në Komision Shtetëror ka njerëz që janë jokompetent për të qenë aty.
“Ne, vlerësojmë se Kosova është duke humbur territor dhe si proces i tillë ky proces duhet të ndalet dhe të mos realizohet. Nuk na duhen integrimet euro-atlantike, me humbje të territorit, sepse Kosova ka humbur territor edhe me Maqedoninë, tash me Malin e Zi, dhe nesër sa do të humbim territor me Serbinë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/