Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka reaguar pas marrëveshjes së arritur në Uashington, duke thënë se nuk mund të quhet marrëveshje historike pasi janë letra vet-nënshkruese të cilat i kanë sjellë shumë dëme të pariparueshme Kosovës.
Sipas tyre, letra vet-nënshkruese nuk mund të quhet si marrëveshje, e aq me shumë marrëveshje historike, ngase ajo nuk ka logo shtetërore, dhe nuk ka preambule.
“Pafuqia e kryeministrit Hoti, është parë me rastin e takimit me Presidentin Trump dhe realizmit të telefonatës me kryeministrin e Izraelit. Lidhja e Historianëve të Kosovës ‘Ali Hadri’ dega në Deçan, shprehet e shqetësuar dhe në të njëjtën kohë konsideron se letra dy faqesh e vet-nënshkruar nga Hoti në Uashington, do të ketë pasoja afatgjate për Kosovën dhe popullin e saj. Është tepër e papranueshme se si delegacioni i Kosovës, në të ashtuquajturën ‘Marrëveshja e Uashingtonit’, e fusin kontestin pronësor në mes të ndërmarrjeve shoqërore ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ dhe Komunës së Deçanit në njërën anë, dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje në reagim thuhet se me ketë akt Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Hoti kanë shkelur Kushtetutën dhe rendin e ri kushtetuese të Republikës së Kosovës.
“ Është e pa pranueshme të kërkohet zbatimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të majit të vitit 2016 për pronat private dhe ato të ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’, të cilat të jashtë ligjshme dhe në mënyre anti kushtetuese po mundohen të ia bartin në pronësi Manastirit të Deçanit dhe kreut të saj, Sava Janjiq. Ne i rikujtojmë Kryeministrit Hoti dhe Presidentit Trump, se ishin administratat e Shtëpisë së Bardhë, ato që i kanë kundërshtuar ligjet diskriminuese të Millosheviqit, dhe si pasoj e këtyre ligjeve shqiptarët e Kosovës filluan luftën për çlirimin e vendit nga pushteti diktatorial i Millosheviqit. Pra, amerikanët kanë qenë kundër ligjeve dhunuese të Millosheviqit. Pra, është e pa pranueshme se si administrata e Presidentit Trump, kërkon që Kosova të i zbatoj ligjet e Millosheviqit, kur dihet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i majit 2016, për pronat private dhe ato të Ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ në Deçan, në plotëni është i ndërtuar mbi ligjet e kohës së Millosheviqit”, thuhet në reagim.
Duke marrë për bazë shumë pika të “Marrëveshjes se Uashingtonit”, e posaçërisht atë për pronat e kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Avdullah Hoti, i cili me vet-nënshkrimin e letrave në Uashington me 4 shtator 2020, ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ngase ka përkrahur zbatimin e ligjeve të Millosheviqit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i majit 2016, për pronat private dhe ato të ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ është vendim i vdekur. Ai nuk do të zbatohet dhe assesi nuk duhet të zbatohet. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarët e tjerë të kësaj gjykate anti kushtetuese dhe anti kombëtare, duhet të hetohet dhe të ndjeket penalisht për tradhti kombëtare, ngase kanë legalizuar vendimet e kohës së Millosheviqit në Kosovë me nënshkrimin e vendimit që pronat private dhe ato të Ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ të i falen Manastirit të Deçanit dhe krye kriminelit, Sava Janjiq”.
Ndërkaq, sipas njoftimit Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri’’ dega në Deçan, dënon fuqishëm përkrahjen që po i bëhet kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë, andaj siç thuhet në njoftim ata i bëjnë thirrje Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kishës Katolike të Kosovës, që edhe ato të kërkojnë të drejtat e tyre rreth pronave në Kosovë.
“Duke e parë se kishat dhe manastiret ortodokse po marrin toka dhe prona si në bahçe të babës, andaj edhe Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike e Kosovës, të i kërkojnë pronat dhe pasuritë e tyre që i ka konfiskuar ish regjimi komunistë. Pra, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike e Kosovës duhet të ngritin zërin e tyre, ngase me ‘Marrëveshjen e Uashingtonit’ u kërkua edhe kthimi i pronave për komunitetin hebrenj në Kosovë. Pra, diskriminim që po i behet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kishës Katolike të Kosovës, është i papranueshëm dhe tepër i dëmshëm. Kosova, ka hyre në një qorr sokak i cili në fund do të jetë i dhimbshëm për qytetarët e saj”, thuhet në reagim. /Telegrafi/