Gazetari i njohur italian,Gianluca Di Marzio, ka nisur një rubrikë të re në faqen e tij të internetit, “G Factor”, kushtuar futbollit të amatorëve dhe kategorive të ulëta, talenteve të cilët kishin kaluar sfida të veçanta në jetë.
Ajo që bie në sy në këtë rubrikë është se shkrimi “debutues” i saj i kushtohet sulmuesit të sapogrumbulluar nga përfaqësuesja kuqezi, Azdren “Denny” Llullaku, i cili ka një histori shumë të veçantë.
Historia e tij dhe ikja nga Kosova
Është viti 2000 kur në Ballkan zhvillohet një luftë e cila kthehet në zemër të Evropës. Italisë i bëhet thirrje të presë emigrantët e shumtë që mbërrijnë, sidomos nga Shqipëria, në brigjet tona. Shumë prej tyre arrijnë me gomone. Udhëtimi i shpresës, i sfidës, i ëndrrave. Ashtu siç ishte për Llullakun, në moshën 12 vjeçare, i cili erdhi në vendin tonë me të ëmën dhe vëllain (babai ishte ndarë nga jeta kur ai ishte vetëm 7 vjeç).
“Ishte e vetmja mënyrë për të pasur një të ardhme”, tregon Azdreni. Ai transferohet me familjen në Tarzo, në provincën e Trevizos, ku arrin të integrohet. Vendi ideal për të rigjetur buzëqeshjen e humbur në vendin e tij, në Kosovën e shkatërruar nga lufta. Azdreni në Itali kultivon pasionin për futbollin. Dhe fillon rrugëtimin te fëmijët e Ac Vallata 1999, një akademi e kategorisë së tretë.
“Në Kosovë luaja vetëm në rrugë, ashtu si të gjithë fëmijët e tjerë”. Kështu futbolli u kthye në diçka që ishte shumë më tepër se thjesht sport. Llullakut i pëlqen, talenti i tij është i dukshëm. Atëherë fillojnë shumë sakrifica: stërvitjet që duhen përputhur me shkollën, puna herë pas herë si kamerier për të ndihmuar ekonomikisht të ëmën. Por ai nuk mund t’i thotë jo futbollit, shkruan Gianlucadimarzio.com. transmeton Panoramasport.
Fillimi në futboll
Në turnetë rajonalë të të rinjve realizon shumë gola, emri i tij përfundon në blloqet e shënimeve të vëzhguesve të klubeve në krahinën e Venetos. Më i shkathëti nga të gjithë tregohet Denis Florin, drejtor sportiv i Conegliano, klub i cili militon në kampionatit rajonal të “Eccellenza” (futbolli amator në Itali).
Llullaku pranon me entuziazëm dhe debuton me të rinjtë, ku i mjaftojnë 10 ndeshje për të merituar kalimin në ekipin e parë. Është sezonin 2004-2005, Azdreni është 17 vjeç, realizon 3 gola me ekipin e parë, por sidomos bie në sy të klubeve nga kategoritë më të larta.
Në verën e ardhshme, kalon te Sacilese, klub i Serisë D, ku zë vendin bosh që i rezervohet lojtarëve të akademive. Edhe këtu tregon vlerat e tij: 8 gola në 31 ndeshje, aq sa mjafton për të bindur ekipin e Sudtirol për ta marrë, në atë që asokohe quhej Seria C2. Hapi i hedhur është i rëndësishëm dhe Llullaku e kupton menjëherë peshën e tij.
Aventura te Sudtirol është një zhgënjim: Azdreni koleksionon 12 ndeshje pa ndikuar asnjëherë. Ndaj bën një hap mbrapa: Llullaku kthehet në Serinë D, te Domegliara, ku shënon 11 gola.
Por fati i buzëqesh përsëri dhe i jep një shans të dytë. Mbërrin përsëri mundësia e një eksperience te profesionistët, përsëri te Sacilese. Por ligji i cili ndalon regjistrimin e ekstrakomunitarëve që nuk kanë statusin e profesionistit ia ndalon. Azdreni qëndron pushim 6 muaj, mes seancave dëgjimore, avokatëve dhe gjyqtarëve, para se të kthehet në Serinë D me Tamai. Këtu, një tjetër shpërthim, me 22 gola në 33 ndeshje, sezoni i tij më i mirë.
Lega Pro mbetet gjithmonë një mirazh, rregullat për esktrakomunitarët janë të paprekshme. Atëherë Llullaku qëndron në Serinë D me fanellën e Sandona Jesolo, ku realizon 13 gola dhe kualifikohet në play-off kombëtar, duke arritur deri në finalen kundër Nuovo Kozenca. Përralla e bukur e Azdrenit vazhdon, pasi shënon që në minutën e 3 golin e avantazhit, por kjo nuk mjafton për të fituar sfidën.
Jeta në Rumani
Eksperienca e radhës mes amatorëve i shton përsëri shpresat Lullakut për të bërë hapin e madh mes profesionistëve. Shpesh, mjafton një telefonatë për ta ndryshuar jetën.
Kështu i ndodhi edhe Azdrenit. Pas sezonit te Sandona, Llullakun e ftojnë për një provë në Rumani. Ishin të pranishëm 30 djem, tre klube të Serisë A rumune të gatshme për të përzgjedhur talentet më të mirë. Azdreni zgjidhet nga Gaz Metan.
Ai pas 11 ndeshjeve ka shënuar 8 gola dhe udhëheq listën e relizatorëve.
“Po stërvitemi mirë, mjafton një fitore për të na dhënë përsëri moral”, thotë sulmuesi, i gatshëm për të realizuar gola të rëndësishëm.
Me një ëndërr të madhe: të kthehet në Itali pranë të dashurve të tij. Pasi ai dashuron vendin tonë, futbollin tonë. Interin.
Vetëm rregullat e ndalojnë. Por fati ka mijëra rrugë. Azdreni lufton përsëri dhe beson, pasi Llullaku, djali që ka ndjerë shijen e luftës dhe ka përshëndetur nga një gomone, nuk do të ndalë asnjëherë ndjekjen e ëndrrës së tij.
Ai ka marr ftesë nga Der Biasi për dy ndeshjet e radhës, ndaj Lihtenjshtajnit dhe Spanjës.
https://www.youtube.com/watch?v=7b_VhQN1_p0