Telegrafi

Historia rrëqethëse e të riut nga Siria që përfundoi në qendrën e azilit në Lipjan

Para katër muajsh siriani Ahmet Zakarija që kishte hyrë ilegalisht në Kosovë ishte aksidentuar në një urë në Kosovë duke rënë nga 15 metra lartësi në autostradën “Ibrahim Rugova”. Pas tre muajsh sa kishte qëndruar në spital për trajtim ai është kthyer në Magure ku ndodhet qendra e azilit.

Siri tashmë po synon jetën ta vazhdojë në Kosovë për shkak të kushteve të mira dhe mikpritjes që i ka bërë shteti.

Kur ishte nisur nga Siria për në Evropë për një jetë më të mirë sirianit Ahmet Zekarija nuk i kishte shkuar asnjëherë në mendje se do të përfundonte në fshatin Magure të Lipjanit.

“Kemi ardhur në këmbë nga Shqipëria në Kosovë. Kemi ecur shumë kilometra dhe jemi lodhur shumë. Ka qenë mbrëmje. Teksa po kalonim mbi një urë unë kamë rënë sepse nga lodhja nuk kam parë mirë. Shokët me të cilët kam qenë duke udhëtuar kanë vazhduar rrugën dhe më kanë lënë të vetmuar. Aty më ka gjetur një person që më pas më ka dërguar në spital”, tregon për RTV Dukagjinin, Ahmet Zekarija, përcjell Telegrafi.

Për pesë ditë ai qëndroi në gjendje kome në QKUK, kurse për t’u rehabilituar plotësisht ka qëndruar edhe tre muaj të tjerë në spital.

Trajtmi nga mjekët dhe infermierët e befasoi për të mirë djaloshin nga Siria.

Një moment emocionues i ri nga Siria tregon kur kontaktoi me familjen e tij që i kishte mbetur në atdhe.

“Në fillim kur kam shkuar në spital nuk kam qenë në gjendje të kontaktojë me familjen, por me ta kanë kontaktuar doktorët. Kur jam përmirësuar kam kontaktuar vet me familjen. Jam munduar t’i qetësoj dhe ju kam treguar se njerëzit këtu janë shumë të mirë. Sigurisht se nëna është mërzitur mjaft. Tash kur ka kaluar e gjitha kjo ndjehem pak i mërzitur për familjen”.

Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore Zekerija ka nisur të integrohet në shoqërinë kosovare.

Me ndihmën e disa kosovarëve ai po e ndjek një kurs të gjuhës gjermane në Drenas.

Kosova tashmë ka zënë një vend të veçantë tek ai.

“Nuk ka asnjë mundësi që për momentin të kthehem në Sirisë pse gjendja është shumë e keqe. As në ndonjë shtet të Evropës nuk jam duke menduar të shkojë për momentin. Pas trajtimit kaq të mirë unë jam duke menduar të qëndrojë në Kosovë. Madje Kosova po më pëlqen gati më shumë se shteti im”.

Fitim Zariqi që drejton qendrën e azilit në Magure, tregon se gjatë këtij viti në Kosovë kërkuar azil 759 persona.

“Shumica prej tyre e kanë lëshuar Kosovën pasi vendin tonë e përdorin vetëm si vend transit ashtu si edhe shtetet e rajonit”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Fitim Zariqi.

Përgjatë këtij viti shumica e azilkërkuesve në Kosovë kanë qenë nga Siria, Afganistani, Iraku, Maroku./RTV Dukagjini/Telegrafi/