Nga: Nick Cave
Përktheu: Fadil Bajraj
NJË
Ti ke lindur. E ndërton veten pjesë-pjesë.
Ndërton një rrëfim. Bëhesh një individ,
duke rrethuar veten me gjithë atë dashuri. Edhe ti
lëndohesh, ngandonjëherë, dhe mbetesh me vraga. Megjithatë
bëhesh një mishërim heroik dhe unik i të dy
gjërave që i vlerëson dhe i gjërave që të shkaktojnë
dhimbje. Derisa rritesh në këtë ide të gjallë, bëhesh
i dallueshëm menjëherë; mes miliarda fytyrave
në botë, ti bëhesh ai që mendon se
je. Ti qëndron para botës dhe thua: “Unë jam këtu
dhe ky jam unë.”
DY
Por ka një ndikim në punë. Një forcë magnetike
e fshehtë. Një mall pa emër që të tërheq drejt
një ngjarje sizmike; ajo gjithmonë ka qenë aty, duke
pritur me durim. Kjo ngjarje mban brenda vetes një
të vërtetë të papritur dhe të frikshme. Nuk ke qenë
kurrë ai që ke menduar se ishe. Ti je një iluzion, pasi
ngjarja të copëton në një mori copash.
TRE
Pjesët tua ndahen, në një milion histori të vogla,
duke u larguar me shpejtësi të jashtëzakonshme.
Ato bëhen si yje që ikin vetëtimthi, pika
të jetës në tërheqje, të ndara sall nga nevoja jote
ulëritëse dhe nga vetë qielli i largët.
KATËR
Ti kacafytesh për copat e historisë tënde
të shkatërruar. Krijohet një grumbullim i furishëm. Ti kap
fragmentet e panjohshme dhe fillon ta bashkosh veten
përsëri. Ti e mbledh veten në diçka
që të duket absolutisht e huaj,
por megjithatë plotësisht dhe aty për aty e njohshme.
PESË
Ti që qëndron përsëri, i ribërë. Ti e ke rindërtuar veten.
Ama ti je ndryshe. Ti je bërë një ne, dhe
ne jemi njëri-tjetri: një komunitet i madh me potencial
mahnitës që mban qiellin lart me vuajtjen tonë,
që i mban yjet në vend me gëzimin tonë të pakufishëm,
që e vendos hënën brenda kufijve të mirënjohjes
tonë dhe na pozicionon në vendndodhjen e hyjnores.
Së bashku, ne jemi rilindur.