Pas daljes nga burgu i Burrelit në vitin ’91, Beqiri ishte i vendosur për ta çuar deri në fund atë që kishte nisur: të arrinte ëndrrën e lirisë. Kjo do të shënonte tentativën e tretë dhe të suksesshme të tij për arrati, pas dy të parave që rrëfeu në në Tv Klan.
Përmes malit, shkoi në Greqi e nga aty, një shok që punonte marinar në një anije transporti, e ndihmoi që pas 22 ditësh, të mbërrinte në ujërat amerikane.
Këtë herë Beqiri nuk u hodh as në detin e Sarandës apo përroin pranë burgut të Qafës së Barit, por në oqean.
Në 2 të natës, u hodh nga vapori pa e ditur se ishte pikërisht në vendin e gjahut të peshkaqenëve e gjallesave ujore.
Ia doli të shkonte në Bruklin dhe u lidh me të afërmit e tij në Nju-Jork dhe prej 33 vjetësh jeton në SHBA.
Por koha e diktaturës ka ndikuar që Beqiri të ketë një lidhje të veçantë me dajën e tij, Hysenin. Ai vuajti 15 vite në burgun e Spaçit dhe pasi fitoi lirinë, ka shkruar vepra për atë kohë.
Një ndër librat e dajës që Beqiri përmend është “Tarti i Spaçit” që rrëfen historinë e një qeni që u miqësua me të burgosurit dhe u dënua me varje.
Beqir: Tarti i Spaçit ka qenë një kulish i vogël që nëpërmjet vrimave të telave të rrethimit nga ata fshatarët që jetonin aty rreth e rrotull ka hyrë në kampin e të burgosurve politikë. Të burgosurit politikë e kanë marrë, e kanë rritur, e kanë ushqyer me ato pak ushqime dhe ishte miqësuar me ta derisa u rrit, u bë qen i madh e i mirë. Në kohën që është bërë revolta në Spaç, aty u pushkatuan disa të burgosur politikë, u dënuan me dhjetëra, ua bënë dënimin me nga 25 vjet burg dhe bënë terror mbi të burgosurit politikë. Kur policët shkonin të arrestonin të burgosurit ose i torturonin pasi shuan revoltën, qeni u turrej policëve, i hante dhe nuk i linte që të arrestonin të burgosurit politikë por i mbronte të burgosurit. Pasi mbaruan të gjitha dënimet me vdekje të të burgosurve politikë dhe dënimet e tjera, në fund fare trupi gjykeus i mblodhi të burgosurit politikë dhe tha sot do të kemi gjyqin e Tartit.
Ardit Gjebrea: Gjyq për qenin?
Beqir: Po, gjyq për qenin dhe e kanë dënuar qenin me varje. Një i burgosur politik që ishte aty brenda u ngrit dhe i tha trupit gjykues, “ju lutem, mos e dënoni qenin, në vend të qenit më dënoni mua. Edhe ty do të të vijë radha”, i tha atij.