Site icon Telegrafi

Historia e duhur e javës së ardhshme për Kosovën në KiE, Murtezaj thirrje Macronit, Scholzit dhe Melonit: Bëjeni realitet fitoren evropiane

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkesat e Francës, Gjermanisë dhe Italisë që lidhen me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka reaguar profesori i diplomacisë në Universitetin IESEG në Paris, Valon Murtezaj.

Profesori Murtezaj, ish ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës në një postim në platformën X tregon se cila do të duhej të ishte historia e duhur javën e ardhshme kur pritet takimi i Komitetit të Ministrave të KiE.

Ai në postimin në X ka etiketuar presidentin francez, kancerlarin gjerman dhe kryeministren italiane që të bëjnë realitet anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe fitoren e demokracisë.

“Javën e ardhshme historia e duhur që do të duhej të ndodhte është që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo do të ishte një fitore e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut.

I dashur Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Giorgia Meloni bëjeni realitet këtë fitore evropiane”, shkruan Murtezaj.

Lexo po ashtu Eurodeputeti holandez, Reuten: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

Ndryshe, nga Këshilli i Evropës kanë bërë të ditur se aktualisht çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk është në rendin e ditës të Komitetit të Ministrave, pavarësisht se në muajin prill Asambleja Parlamentare miratoi raportin e Dora Bakoyannis që rekomandon fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion dhe nuk përmend çështjen e Asociacionit.

Por, së fundi Franca, Gjermania dhe Italia kanë kërkuar hapa para në themelimin e Asociacionit në mënyrë që të mbështesin Kosovën në KiE.

Ambasadori gjerman të enjten tha se nuk e ka pritur që kryeministri Albin Kurti të befasohet me qëndrimin e Gjermanisë dhe as të Francës – shtete të cilat thonë se Kosova duhet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Rohde në një intervistë për Kallxo.com tha se Kurti ka qenë në dijeni që për Gjermaninë dhe Francën dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese është hapi i vetëm për të siguruar shumicën e votave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Lexo po ashtu Knaus: Fiasko diplomatike për Gjermaninë nëse bllokon anëtarësimin e Kosovës në KiE

Ndërkaq, ditë më parë kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, tha Kurti.

Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.

“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë procesin e anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjell tek ne nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit aneksit të Ohrit dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm por u refuzua nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.

Ai shtoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës sepse beson dhe përqafon vlerat themelore që kjo organizatë mbron dhe promovon.

Kurti tha se pengesat për anëtarësim i mendonin nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën e assesi shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës, duke folur këtu për Gjermaninë e Francën.

Gjermania dhe Franca janë dy vendet që kanë kërkuar nga Kurti të bëjë “hapa konkretë” për themelimin e Asociacionit përpara votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. /Telegrafi/

Exit mobile version