“Hirushja” është një prej përrallave që ka shoqëruar fëmijërinë e çdokujt.
Historinë e saj e dinë të gjithë, e filmin e saj pak kush nuk e ka parë – por një shfaqje baleti me të njëjtën tematikë mund të jetë jo e shpeshtë për fansat e kësaj historie.
E një gjë e tillë do të bëhet realitet këtë të diel, me premierën e shfaqjes së baletit “Cinderella (Hirushja)” nga studio e baletit “Angels”.
Me fillim nga ora 18:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një trupë prej më shumë se 70 balerinësh (shumica prej tyre fëmijë), do të dhurojnë si shfaqje magjinë e përrallës së famshme të Hirushes.
Telegrafi ka përcjell nga afër provat për këtë shfaqje, e cila vjen për herë të parë në Kosovë.
Asistent-koreografi Sead Vuniqi ka treguar për Telegrafin se punimet për “Cinderella” kanë marrë muaj të tërë pune dhe është i lumtur që më në fund, shfaqja do të “marrë jetë” këtë të diel.
“Përgatitjet për shfaqjen “Cinderella” sinqerisht kanë marrë goxha një kohë të madhe duke e ditur që fëmijët janë shumë të vegjël, dhe duan një përkushtim shumë të madh me ta. Duke e marrë parasysh shfaqjen që ne kemi dashur ta krijojmë, diku afërsisht ndoshta prej muajit dhjetor, nga fillimi i janarit kemi nisur detajisht të merremi me të dhe të përkushtohemi për këtë shfaqje – më së shumti kemi pasur probleme deri te ndarja e roleve, kujt iu ka përshtatur më shume, cilit fëmijë më shumë. Por duke parë sot provën këtu qe kemi zhvilluar në Teatrin Kombëtar, unë jam shumë i kënaqur duke ditur që kapacitet i fëmijëve është pak më i zbehur, sepse ata janë fëmije dhe nuk munden të japin atë që ne kërkojmë sikur ne të mëdhenjtë, profesionistë të baletit, kështu që besoj që gjithë ai mund dhe gjithë ai angazhim që kemi bërë që pesë-gjashtë muaj do të shpërblehet në fund me duartrokitjet e prindërve dhe publikut”, ka thënë Vuniqi.
Si çdo sektor tjetër, edhe baleti nuk ka shpëtuar pa u prekur nga kriza që ka shkaktuar COVID-19.
Balerini i shfaqjes u shpreh se edhe baleti i ka pasur sfidat e veta gjatë kësaj periudhe – por që të njëjtat po marrin fund me largimin e pandemisë.
“Unë po flas nga ana e balerinit, ne jetojmë me ato duartrokitjet e publikut edhe d.m.th pandemia e cila ka ndikuar te secili jo vetëm te neve si balerin, por edhe te profesionet tjera – edhe ajo bllokada sa muaj pa ushtrime neve na ka dëmtuar shumë. Por fatmirësisht neve si trupë e baletit kemi startuar pas shtatorit me angazhime dhe projekte të tjera, por gjithmonë e kemi pasur limitin e caktuar. Kjo salle (TKK) diku më shumë se 60 s’ka pasur mundësinë të mbushet. Tash me masat e reja, me shtimin e vaksinimit të njerëzve, duke ditur që edhe Qeveria dhe Ministria na ka lejuar më shumë se 70 për qind të publikut, besoj që pas datës 15 kanë thënë që ka me qenë e hapur edhe më shumë, kështu që besoj se ajo atmosfera që krijohet kur është salla plot, normal që është edhe loja edhe lëvizjet edhe aktrimi i gjithë shfaqjes. Ne si balerinë kur performojmë këtu është më e madhe se sa kur është me pak publik. Edhe besoj që do të ndikojë shumë mirë tek ne edhe shumë jam falënderues që po kalon kjo kohë edhe po i rikthehemi normalitetit duke u angazhuar me projekte tona ne si studio e baletit”, ka thënë Sead Vuniqi.
“Cinderella (Hirushja” është shfaqja e parë e cila sjell në rolin e koreografit balerinin e njohur, Isa Beg Gjocaj.
Në bisedën për Telegrafin, ai thotëse përvoja e tij e parë si koreograf e ka rritur jashtë mase profesionalisht.
“Është shfaqja ime e parë si koreograf, pasi kam filluar para disa muajve për herë të parë të punoj në studio me fëmijë. Një përvojë shumë interesante dhe e re për mua se gjithmonë jam mësuar me qenë në anën tjetër të shfaqjes, d.m.th si performues ose si balerin, e kjo ka qenë hera e parë që më është dhënë mundësia që të punoj si koreograf. Më ka rënë të merrem më shumë me muzikën, skenografinë e krejt këto detajet tjera që zakonisht ne nuk e dimë qysh ndodhin, sepse jemi vetëm në atë pjesën e performimit dhe jo të krejt përgatitjes të një shfaqje. Ne kemi përgatitur shfaqjen ‘Hirushja’ për fëmijë, diçka më interesante ose më ndryshe prej shfaqjeve tjera është fakti se i kemi bashkuar dy studio të ndryshme prej dy qyteteve të ndryshme. Kjo ka qenë pak një sfidë për neve, sepse është vështirë t’i bësh krejt fëmijët bashkë për të ushtruar dhe për të bërë krejt shfaqjen komplet. por ia kemi dalë me mundin tonë dhe përkrahjen e prindërve dhe me mundin e fëmijëve normalë. Gjithashtu është e veçantë se unë dhe Seadi jemi dy balerinë profesionistë që kemi me vallëzu me fëmijët, që besoj ka me qenë interesante dhe shumë risi për publikun”, ka thënë Isa Gjocaj për Telegrafin.
I pyetur se a po i jepet apo jo hapësira e duhur shfaqjeve të baletit në përgjithësi, koreografi Gjocaj thotë se “pandemia e bëri të veten”, por që do të preferonte që baleti në përgjithësi të kishte më shumë vëmendje dhe pse jo publik në sallë.
“Besoj që për shkak që japim mund të madh edhe punojmë shumë, mendoj se duhet me pas publik pak më shumë se sa tani. E krejt kjo është për shkak të restreksioneve, për shkak të pandemisë normal. E kemi kuptuar këtë send, por është pak demotivuese për neve si balerinë, se na gati çdo javë japim shfaqje edhe kur e shohim publikun se është më i thatë se zakonisht, është ndoshta edhe për neve më stresuese, sepse jemi mësuar të shohim publikun që na japin atë motivin, atë ndjenjën edhe forcën që të vazhdojmë të japim mundin tonë të plotë”, thekson Gjocaj.
Ndërkohë, koreografja tjetër Vlora Prizreni e cila punon me fëmijët, u shpreh se realizimi i një shfaqje si kjo e “Cinderrela (hirushja)”, i ka sfidat e veta – por që puna me përkushtim dhe qejf ndikon që sfidat e tilla të tejkalohen me lehtësi.
“Është mjaftueshëm vështirë, por kur e do këtë profesion, mendoj që nuk është aq sepse e bën çdo gjest me dashuri. Nganjëherë edhe britmat kur vijnë prej neve, prej së brendshmi – unë shembull i kam edhe dy vajza të mia edhe nuk e teproj me bërtimë, por aq i kam vajza të mira, edhe mundohem t’i afroj me aq dashuri dhe prapë i kthej për vete. Po normal që është vështirë se ata janë fëmijë, edhe ka mundësi me qajtë ose me dalë jashtë kontrollit edhe kjo është pak problem për shfaqje, por kemi me ja dal e di. Jam e kënaqur edhe e di qe e kemi arritur vetëm me disiplinë”, ka thënë Vlora Prizreni.
E veçanta e shfaqjes “Cinderella (Hirushja)” është numri i madh i fëmijëve balerinë në këtë shfaqje – e që kush më bukur se ata do të ishin në gjendje ta sillnin në skenë magjinë e kësaj përralle ikonë të fëmijëve ndër dekada. /Telegrafi/