Partia Demokratike e Shqipërisë ka marrë vendim që të heqë dyert e blinduara pas kërkesës që patën një pjesë deputetëve demokratë gjatë mbledhjes së kryesisë një ditë më parë, si dhënien e një mesazhi pozitiv për ribashkimin e partisë.
Pas heqjes së dyerve të blinduara, në selinë blu do të rikthehet normaliteti dhe deputetët do të futen nga dera kryesore dhe jo nga ajo anësore siç kanë vepruar deri tani, raporton A2 CNN.
Mbrëmjen e djeshme pas mbledhjes, kryetari në detyrë i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi se është hedhur hapi i parë drejt negociatave me Komisionin e Rithemelimit, për zgjidhjen e krizës në PD.
Ai ka shtuar se po kërkohet bashkimin për të mirën e demokratëve, duke hequr dorë nga gjuha e urrejtjes.
“Besoj se mirëkuptimi është çelësi për të ecur përpara”, tha Alibeaj. /Telegrafi/