Telegrafi

Hezbollahu rrëzon dronin ushtarak të Izraelit në jug të Libanit, publikohen pamjet

Një dron i ushtrisë izraelite është rrëzuar nga Hezbollahu me raketë tokë-ajër mbi jug të Libanit gjatë mbrëmjes së kaluar.

Këtë e kanë pranuar edhe nga ministria izraelite e Mbrojtjes, në anën tjetër Hezbollahu që mbështetet nga Irani ka njoftuar se kanë arritur të rrëzojnë dronin Elbit Hermes 450 mbi qytetin libanez Aaichiyeh, rreth 13 kilometra larg kufirit me Izraelin, transmeton Telegrafi.

I njohur ndryshe në terma ushtarake si Zik, fluturakja pa pilot përdoret nga forcat ajrore izraelite – kryesisht për mbikëqyrje dhe sulme.

E Hezbollahu publikoi edhe pamjet, që pretendohet se shfaqin momentin e rrëzimit të dronit me raketë, ndërsa IDF-ja thotë se aeroplanët e saj luftarakë kanë bombarduar zonën nga ku ishte lansuar raketa.

Izraeli vazhdimisht mbikëqyr me dronë pjesën jugore të Libanit, por interceptimi i një numri të madh të tyre është bërë një sfidë për ushtrinë izraelite. /Telegrafi/