Nga: Bilal Saab / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Si mund të trajtojë Libani marrëdhënien e tij të ngatërruar dhe jofunksionale me Hezbollahun, pa u kthyer te konflikti i brendshëm sektar? Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, i cili është akuzuar nga kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare [GjPN] për krime lufte në Gazë, pretendon se ka përgjigjen: libanezët duhet ta “çlirojnë” Libanin nga Hezbollahu. “Ju keni një mundësi për të shpëtuar Libanin”, tha ai në një adresim përmes videos, “para se të bjerë në humnerën e një lufte të gjatë që do të çojë në shkatërrim dhe vuajtje, si ato që shohim në Gazë”.
Netanyahu, i cili hedh poshtë akuzat e GjPN-së, po kërcënon hapur se ndaj popullatës libaneze do të përdorë të njëjtat taktika shkatërruese ushtarake që janë përdorur në Gazë. Nëse ai vërtet dëshiron të ndihmojë libanezët që të ballafaqohen me Hezbollahun, ai nuk do të urdhëronte ushtrinë e tij të pushtonte Jugun e Libanit dhe, si rezultat, t’i jepte një jetë të re organizatës. Netanyahu e njeh historinë, megjithatë zgjedh ta shpërfillë atë: Hezbollahu kryesisht lindi për t’i rezistuar pushtimit izraelit të Libanit jugor, i cili filloi në vitin 1982 dhe përfundoi vetëm në vitin 2000. Nëse ai jep sërish atë justifikim, do të gjejë një mënyrë për t’u rigrupuar duke rekrutuar njerëz nga komuniteti shiit, të cilët nuk e pranojnë një pushtim tjetër izraelit.
Edhe nëse Izraeli nuk pushton territorin libanez, këtë herë, libanezët nuk mund të çarmatosin një organizatë paraushtarake që është shumë më e fortë se Ushtria e Libanit. Po këta libanezë, meqë ra fjala, aktualisht po vriten, gjymtohen, terrorizohen dhe zhvendosen (një e katërta e gjithë popullsisë është detyruar të largohet nga shtëpitë e veta) nga Ushtria e Izraelit. Nëse sektet libaneze marrin armët kundër Hezbollahut, kthimi në luftën civile, të cilën Libani e përjetoi nga viti 1975 deri më 1990, do të ishte praktikisht i sigurt.
Megjithatë, sado i cekët dhe cinik të jetë propozimi i Netanyahut, ai nuk e ndryshon realitetin se Hezbollahu ka qenë një pengësë e madhe për Libanin që nga viti 2000.
Për dekada, grupi ka këmbëngulur se vetëm ai mund të mbrojë Libanin nga agresioni izraelit. Dëbimi i ushtrisë izraelite nga Jugu i Libanit 24 vjet më parë, e forcoi pretendimin e tij. Por, që nga largimi i Izraelit, roli ushtarak i Hezbollahut nuk ka qenë as efektiv dhe as legjitim. Grupi nuk ka arritur të pengojë sulmet izraelite, ndërsa veprimet e tij madje kanë ftuar sulmet e tjera izraelite, siç dëshmohet nga lufta e vitit 2006 dhe konfrontimi aktual vdekjeprurës.
Roli, armët dhe ndikimi i Hezbollahut nuk janë të krijuara vetëm prej vetë grupit. Për shumë vjet, ai ka gëzuar mbështetjen politike dhe ushtarake të Iranit dhe Sirisë. Teherani e sheh grupin si ngjitësin që mban së bashku një rrjet rajonal përfaqësuesish të lidhur në konfliktin e përhershëm me Izraelin. Hezbollahu vështirë se ka marrë në konsideratë kufijtë ose sovranitetin e Libanit si kufizime në konfliktin e tij me Izraelin. Ai gjithashtu beson, njësoj si Irani, se një luftë e suksesshme kundër Izraelit kërkon bashkimin e të gjitha fronteve rajonale – në Jemen, Irak, Siri, Liban dhe Gazë.
Zbatimi i parë real i kësaj doktrine ishte në verën e vitit 2006, kur Hezbollahu hyri në Izraelin Verior dhe kapi dy ushtarë izraelitë. Në aspektin taktik, Hezbollahu donte të detyronte një shkëmbim të burgosurish libanezo-palestinezë me Izraelin dhe të ndihmonte Hamasin në konfrontimin e tij me Izraelin në Gazë. Por, qëllimi më strategjik i drejtuesve në Teheran ishte t’i impononin Izraelit një realitet të ri, në të cilin fushëbetejat palestineze dhe libaneze ishin një.
Sulmi i Hezbollahut çoi në 34 ditë luftime të ashpra me Izraelin, të cilat e lanë Libanin në gërmadha, me më shumë se 1 100 njerëz të vrarë, një pjesë të madhe të Libanit jugor të rrafshuar dhe infrastrukturën e dëmtuar rëndë në të gjithë vendin.
Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, ashiqare pa mësuar asgjë, Hezbollahu do të përsëriste gjithçka nga e para – përveç se këtë herë basti i tij do të rezultonte shumë më i dëmshëm për grupin dhe për Libanin në tërësi. Izraeli e ka ndëshkuar Hezbollahun për hapjen e një fronti kundër tij më 8 tetor 2023, duke vrarë shumicën e komandantëve të tij politikë dhe ushtarakë, përfshirë Hassan Nasrallahun, udhëheqësin e tij më të lartë. Ka shkatërruar selinë e grupit, është infiltruar në organizatë si kurrë më parë dhe ka zbrazur pjesën më të madhe të Libanit jugor dhe periferitë jugore të Bejrutit, ku banon baza mbështetëse e Hezbollahut. Asnjëherë në historinë e Hezbollahut nuk ka pasur kaq shumë panik në zonat e tij elektorale dhe kaq shumë pasiguri për të ardhmen e tij.
Nëse Izraeli do të përkthejë këto përfitime taktike në ato strategjike, kjo është e paqartë, por ajo që dihet është se Libani nuk mund të vazhdojë në rrethanat aktuale. Hezbollahu thjesht nuk mund të vazhdojë të veprojë jashtë kufijve të shtetit libanez, pa mbikëqyrje apo përgjegjësi, duke iu përgjigjur një fuqie të huaj dhe duke marrë në mënyrë të njëanshme vendime për luftë dhe paqe në emër të të gjithë libanezëve. Asnjë nga këto nuk është normale apo kushtetuese në asnjë shoqëri funksionale.
Sigurisht, ndryshimi i këtij realiteti është më i lehtë të thuhet sesa të bëhet. Nuk ka asgjë në përvojën dhe filozofinë e Hezbollahut që sugjeron se ai ndonjëherë do të qetësohet ose do të ndryshojë në mënyrë drastike mënyrat e tij. Hezbollahu është i lidhur ngushtë me liderin suprem të Iranit dhe të shkëputesh nga Republika Islamike do të nënkuptonte vetëvrasje për grupin.
Megjithatë, për ironi, rruga që Hezbollahu ka zgjedhur e ka sjellë atë më pranë vetëshkatërrimit. Ashtu si Netanyahu, edhe ai ka zgjedhur të injorojë të vërtetat themelore. Do të ishte e pandershme apo naive të thuhet se tranzicioni i Hezbollahut në një entitet thjesht politik, paralelisht me integrimin e plotë të forcave të tij në ushtrinë libaneze, do të shmangte krejt papritur kërcënimet izraelite.
Sidoqoftë, Libani do të jetë gjithmonë në një pozicion më të fortë për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur sovranitetin e tij nëse flet me një zë të unifikuar. Kjo është diçka që Hezbollahu asnjëherë nuk është munduar ta vlerësojë apo promovojë. Në të vërtetë, valvula më e fuqishme e sigurisë për grupin dhe mbështetësit e tij shiitë nuk janë raketat e Iranit, por përqafimi kolektiv i popullit libanez. Megjithatë, për ta fituar atë, Hezbollahu duhet së pari të dorëzojë armët dhe të bëhet një partner i barabartë në rindërtimin e Libanit. /Telegrafi/