Site icon Telegrafi

Hetuesit e Speciales u shkojnë në zyrë OVL-së së UÇK-së, Klinaku: Ua dhamë kopjen e fundit të materialeve

Foto: Arkiv

Hetues të Gjykatës Speciale kanë shkuar sot në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nga ku kanë marrë një kopje të materialit, që një ditë më parë nga persona të panjohur janë lënë në korridorin e OVL-së së UÇK-së. 

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar sekretari i kësaj organizate, Faton Klinaku.

Klinaku tha se ata kishin ardhur me urdhër për marrjen e materialit, ndërkaq zyra e OVL-së së UÇK-së ua dorëzoi edhe kopjen e fundit të materialeve të cilat i kishin, pasi siç tha ai të tjerat ua kanë shpërndarë medieve.

Lexo po ashtu Gucati: Në zyrat e OVL e UÇK-së ka arritur një pako me materiale të Gjykatës Speciale, nuk dihet se kush e solli

“Nga Gjykata Speciale ishin këtu. Ne ju thamë që tri kopje ua kemi dhënë medieve, një kopje na ka mbetur neve për me ia dorëzu prokurorisë. Pas konsultimit me kryetarin, Hysni Gucati i cili nuk është këtu, ai na dha leje, na tha t’ua japim vetëm atë kopje që na ka mbetur”, tha Klinaku.

“Është dhënë ajo kopje që na ka mbetur neve, do të thotë me proces verbal, me pranim dorëzime me nënshkrime e kanë marrë kopjen e fundit që e kemi pasur. Ata e kishin pasur një urdhëresë për marrje të materialit, na iu treguam që kopjet tjera janë shpërnda, atë që e patëm ua dhamë. E kemi bo publike për shkak se nuk ju kemi besu dhe nuk ju besojmë këtyre dhe e kemi konsideruar provokim”, tha Klinaku. /Telegrafi/

Exit mobile version