Të mërkurën është raportuar se dy femra rreth orës 23:30 kanë hyrë në një veturë të Policisë së Kosovës në rrugën “12 qershori”, në Ferizaj.
Telegrafi ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës të cilët përmes adresës elektronike nga zyra për informim thanë se në lidhje me rastin është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.
Në përgjigjen e tyre po ashtu thuhet se policia ka marrë deklaratat e tre policëve (dy meshkuj dhe një femër) që ishin në kryerje të detyrës zyrtare.
“Ju njoftojmë se menaxhmenti i policisë së stacionit në Ferizaj, mbrëmë ka nisur grumbullimin e informatave fillestare, ka marrë deklaratat e tre policëve ( dy meshkuj dhe një femër) që ishin në kryerje të detyrës zyrtare, duke patrulluar me veturë zyrtare me datën 05.09.2023, rreth orës 23:30 në rrugën ‘12 Qershori’ në Ferizaj, ku shihen dy qytetarë (vajza) duke u futur në veturën e policisë. Në lidhje me rastin është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës”, thanë nga zyra për informim.
Ndërsa, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka në një prononcim për Telegrafin ka thënë se janë në fazën e grumbullimit të informatave për tre zyrtarë policorë.
“Ju njoftojmë se IPK-ja sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rastin në fjalë dhe është në fazën e grumbullimit të informacioneve ndaj tre zyrtarëve policorë”, ka thënë Beka. /Telegrafi/