Telegrafi

Heshtja karshi rrezikut dhe diskriminimit në punë

Besa Morina, 29 vjeçe nga Prishtina, ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik. Në pamundësi për të gjetur një vend pune në sektorin publik, Besa ka punuar në sektorin privat, në një dyqan rrobash në qendër të kryeqytetit. Aty ka ka punuar në këtë dyqan për gjashtë muaj dhe pa ndonjë paralajmërim është larguar nga puna. Këtë ia ka kumtuar shefi i saj vetëm pas përfundimit të orarit të punës.

Ajo thotë se punëtorët në sektorin privat janë të diskriminuar dhe nuk trajtohen në mënyrë të duhur.

“Kam punuar gjashtë muaj. Paga mujore ka qenë 200 euro. Kemi punuar edhe pas orarit, por asnjëherë nuk jemi paguar për këtë. Kemi pasur edhe ngarkesë psikike nga pronari, përkundër faktit se kemi punuar mirë”, rrëfen Besa.

Pas një viti pa punë, Besa ka arritur të punësohet në një qendër tregtare në periferi të Prishtinës, por edhe prej atje është përjashtuar për shkak se ka qenë shtatzënë.

“Kam pushuar një vit dhe pastaj kam punuar në një mini-market. Kur ka kuptuar shefi se unë jam shtatzënë, më ka larguar nga puna, për shkak të pushimit të lehonisë”, tregon Besa.

Në sektorin privat llogaritet se punojnë mbi 220 mijë persona, me një pagë mesatare prej rreth 200 eurosh në muaj. Edhe pse ky sektor konsiderohet si promotor i zhvillimit ekonomik në Kosovë, përfaqësues të punëtorëve thonë se aty shkelen më së shumti të drejtat e punëtorëve, porse ata heshtin për diskriminimet, për shkak të vështirësive për të gjetur punë të tjera.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, që funksion në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë sektor punëtorët punojnë me orar të stërzgjatur, pa kontrata pune, me vonesa të pagave, pa pagesë të kontributeve, e në shumicën e rasteve me vetëm një ditë pushim në javë dhe pa mjetet e sigurisë në punë.

Ai madje thotë se në Kosovë ka kompani që paguajnë punëtorët me vetëm 120 euro në muaj, e me këtë shumë punëtorët duhet të paguajnë ushqimin dhe udhëtimin.

“Me keqardhje po ju them se aq shumë shkelen të drejtat elementare të punëtorëve, saqë punën jashtë orarit pronarit as që i shkon në mend ta paguajë. Punëtorët kanë ardhur në atë pozitë saqë punën jashtë orarit e konsiderojnë normale. Në Kosovë manipulohen, keqpërdoren punëtorët nga kompanitë private. Lirisht mund të them se 70 për qind e punëtorëve në sektorin privat punojnë sot për nesër”, thotë Azemi.

Kushtet e rënda të punës në këtë sektor, në disa raste u kanë kushtuar edhe me jetë punëtorëve.

“Vetëm në vitin 2013 kemi pasur 17 raste të vdekjeve dhe 45 raste të lëndimeve. Këto janë shifrat zyrtare, por unë jam shumë i bindur se ato janë dyfish më të larta. Kurse, prej muajit janar të këtij viti e deri më tash kemi pasur gjashtë vdekje dhe 28 lëndime në vendin e punës”, bën të ditur Azemi.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se ka filluar të zbatohet Ligji i Punës dhe Kontrata Kolektive. Udhëheqësi i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se në bazë të një hulumtimi të këtij asociacioni, rezulton se Ligji i Punës nga punëdhënësit e sektorit privat respektohet mbi 70 për qind. Megjithatë, Shahini pranon se ka ende punë në këtë drejtim.

Ata që më së shumti janë të rrezikuar në vendin e tyre të punës, janë punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë, pasi në këtë sektor jo gjithmonë përdoren masat mbrojtëse.

Agim Berisha, rreth të 50-tave, punon në këtë sektor. Ai thotë se për shkak të kushteve të vështira ekonomike, shumë qytetarë detyrohen të punojnë në ndërtimtari.

“Në sektorët ku punët janë më të rrezikshme, siguria nuk ekziston. Nuk kanë as mjete elementare, si veshmbathje adekuate mbrojtëse”, shprehet Berisha.

Për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, duhen formuar sindikatat. Ky veprim kërkon guxim nga punëtorët përballë menaxherëve të kompanive përkatëse.

Përfaqësues të punëtorëve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se sindikatat nuk janë themeluar në kompani private – edhe pse ka kompani me mbi 1,500 punëtorë – për faktin se pronarët organizimin sindikal e shohin si rival, e jo si partner bashkëpunimi.

Sindikata po ashtu ka fuqi të madhe ligjore për t’i mbrojtur anëtarët e vet me anë të grevave të ligjshme. Sindikata mund të pezullojë punën e ndërmarrjeve, derisa të drejtat e punëtorëve të mos shkelen. Organizatat sindikale madje mund t’i drejtohen gjykatës për veprime ndërhyrëse ose kërcënime ndaj punëtorëve.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2011 ka miratuar Ligjin e Punës. Sipas këtij ligji, i punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, në mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës. Punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve.

Përfaqësues të bizneseve disa herë, kanë kërkuar ndryshimin e këtij ligji, pasi, sipas tyre, është i papërballueshëm financiarisht, sidomos “kur është fjala për pushimet e gjata mjekësore, pushimin e lehonisë dhe ditë të shumta pushimi gjatë festave”. Këto janë edhe arsyet kryesore përse punëdhënësit nuk arrijnë të zbatojnë Ligjin e Punës, apo, thënë ndryshe, shkelin të drejtat e punëtorëve.

Kryeinspektori i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, për Radion Evropa e Lirë thotë se ka përmirësim në aspektin e zbatimit të ligjit, por, megjithatë, në sektorin privat ka më shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Përveç Ligjit të Punës, në aspektin legjislativ punëtorët mbrohen edhe me Ligjin për Siguri në Punë, për Mbrojtjen e Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientin e Punës. /REL/