Telegrafi

“Heshtja e sirenave” premierë në natën e katërt në PriFest

“Heshtja e Sirenave” është në garë në kategorinë kryesore të filmave ballkanik, film ky nga Gazmend Nela dhe vjen si premierë kosovare në natën e katërt të festivalit.

Flmi trajton temën e korrupsionit dhe sfidave morale që përballen personazhet në një mjedis ku ligji dhe morali shpeshherë vihen në pikëpyetje.

Avniu është një polic trafiku në një qytet të vogël në Kosovë, një njeri i zakonshëm, as shumë i ndershëm e as shumë i guximshëm. Së bashku me partnerin e tij, Gëzimin, pranojnë ryshfete të vogla nga shoferët që i ndalojnë për tejkalim shpejtësie. Një natë, duke menduar se po bëjnë gjënë e duhur, ata shoqërojnë në stacion një prokuror të një gjykate ndërkombëtare, i cili ishte duke vozitur i dehur me një çantë plot me para në makinën e tij. Të dy pastaj shpejt do të gjenden të përfshirë në një rast korrupsioni që tejkalon përmasat e tyre.

Gazmend Nela është regjisor dhe skenarist i filmit, producentë Valon Bajgora dhe Arben Shala.

Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë e Veriut dhe Shqipërisë.

Sunaj Raça, Allmir Suhodolli, Amernis Nokshiqi dhe Rina Krasniqi janë kasta kryesore e filmit.

Filmi do të shfaqet më 13 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata.

Biletat mund të blihen online ne Rave Travel dhe te Kino Armata nga data 10 shtator. Çmimi 3 euro.

Edicioni 16-të mbahet prej 10-15 shtator 2024. /Telegrafi/