Telegrafi

Herolind Shala në formë të lartë para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, asiston në fitoren e Valerengas

Herolind Shala (Foto: Instagram/herolindshala)

Një tjetër futbollist i Kosovës ka bërë një ndeshje të mirë para grumbullimit ditën e hënë në Prishtinë.

Njëri nga lojtarët kryesor të trajnerit Bernard Challandes, Herolind Shala ka shkëlqyer në fitoren e skuadrës së tij Valerenga 4-1 ndaj Mjondalen.

Shala ishte titullar dhe la gjurmë në këtë takim, pasi bëri një asistim të mrekullueshëm në minutën e 75-të.

Mesfushori qendror asistoi nga krahu i majtë për Finnen i cili shënoi me kokë për 4-1.

Forma e mirë e Shalës është një lajm i mirë për trajnerin Bernard Challandes para ndeshjes kryesore të Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut.

28-vjeçari ishte ndër më të mirët në fushë, teksa e mira është që u largua nga loja pa pësuar ndonjë lëndim.

Gjithsesi lojtari tani ka marrë rrugë për në Kosovë për tu grumbulluar para ndeshjeve të muajit tetor ku Dardanët luajnë me Maqedoninë, Slloveninë dhe Greqinë. /Telegrafi/