Telegrafi

Herolind Shala: Kemi luajtur të gjithë me zemër dhe kemi luftuar si luana, ia arritëm qëllimit në fund

Kapiteni Herolind Shala e ka vlerësuar lartë barazimin e Përfaqësueses së Kosovës në udhëtim te Greqia në ndeshjen e Grupit 3 në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Dardanët arritën të marrin një barazim të vlefshëm në takimin dhe kjo pikë e fituar i kënaqi të gjithë te Kosova.

Ky barazim dhe paraqitje individuale dhe e ekipit i ka pëlqyer edhe kapitenit Herolind Shala, i cili ka vlerësuar ekipin dhe lojtarët e rinj që kanë luajtur sot.

“Sot mendoj se kemi luajtur të gjithë me zemër. Kemi luftuar si luana dhe ia arritëm qëllimit”, ka thënë fillimisht Shala pas ndeshjes.

“Kemi pas mundësi me fituar lojën, patëm raste, por jam i kënaqur me lojën dhe disiplinën”.

“Lojtarët që kanë luajtur sot e kanë bërë punën mirë, kemi luajt mirë si ekip në fazën e sulmit dhe të mbrojtjes. Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit”.

“Na nevojitet vetëm mbështetja pasi vetëm bashkë mundemi me i kthyer rezultatet dhe gëzimet e mëhershme”, përfundoi kapiteni. /Telegrafi/