Rodrygo Goes ishte hero i Real Madridit në ndeshjen e dytë çerekfinale ndaj Chelseat, pasi shënoi të dy golat në fitoren 2-0 të Los Blancos.
Real Madridi u duk se do të kishte vështirësi në fillimin e ndeshjes, por në pjesën e dytë ishte Rodrygo, i cili me dy gola vulosi fitoren dhe kualifikimin në gjysmëfinale.
Kjo vazhdoi serinë e golave të rëndësishëm të brazilianit në Ligën e Kampionëve, diçka që ai vetë nuk di si ta shpjegojë.
“Nuk di si ta shpjegoj, por gjithmonë them se është një garë e veçantë për mua, sa herë që luaj kam mundur të bëj diçka të veçantë për ekipin tim, shpresoj të vazhdoj kështu dhe të jap më shumë asistime dhe më shumë gola”, ka thënë fillimisht Rodrygo për Cadena Cope.
“Ndihem si titullar, ndihem i rëndësishëm, veçanërisht në Ligën e Kampionëve. Shpresoj të vazhdoj kështu. Kam diçka të veçantë me Ligën e Kampionëve. Mund të jetë momenti im më i mirë, por dua të bëj shumë më tepër”.
Rodrygo u pyet gjithashtu për festën e tij, një imitim i kërcimit rrotullues të Cristiano Ronaldos.
“Mendova të rrëshqas në gjunjë, por kam një problem dhe Cristiano, idhulli im, më erdhi në mendje”, përfundoi sulmuesi brazilian. /Telegrafi/